Letër publike kryeministrit, Haradinaj: Deputeti Juaj kërcënon me vrasje

Letër publike kryeministrit, Haradinaj: Deputeti Juaj kërcënon me vrasje

I nderuari z. Kryeministër Haradinaj,

Disa orë pas deklaratës Suaj rreth shkollimit të gazetarëve e cila nga komuniteti ynë u cilësua si fyese, deputeti juaj, z. Bekë Berisha ka kërcënuar me vrasje kryeredaktorin e Insajderit, Vehbi Kajtazi për shkak të shkrimit me titull: Kryeministri Haradinaj emëron këshilltar një të dyshuar për lidhje me krimin.

Në këtë shkrim është përmendur edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i cili ka qenë i dënuar për një vrasje.

Disa orë pas publikimit të shkrimit, deputeti Juaj z. Bekë Berisha ia ka dërguar një porosi autorit të këtij shkrimi, Vehbi Kajtazi, duke e paralajmëruar se nëse edhe një herë e përmend emrin e tij, e pret plumbi në ballë.

Z, kryeministër,

Insajderi paraprakisht ka kërkuar sqarime rreth të kaluarës së z. Gazmend Syla për çka nuk ka marrë përgjigje. Zyra Juaj ka zgjedhur që sqarimin ta japë pas publikimit të shkrimit.

Megjithatë, këtë rrugë nuk e ka zgjedhur deputeti juaj, i dënuar për vrasje, z. Bekë Berisha. Në vend të reagimit, sqarimit dhe padisë në Gjykatë, ai ka zgjedhur ta luajë të fortin, duke kërcënuar me vrasje.

Nuk kanë kaluar tri javë që drejtori ynë, Parim Olluri është rrahur nga tre persona në praninë e gruas së tij. Ende pa u zbardhur rasti dhe pa u vënë autorët e këtij sulmi para drejtësisë, kryeredaktori i Insajderit merr kërcënim me vrasje nga deputeti Juaj.

Nuk është hera e parë që ne si staf i Insajderit, por edhe gazetarët e medieve tjera, sulmohemi dhe marrin kërcënime serioze. Megjithatë është hera e parë që zyrtarë të një subjekti politik vetëm katër ditë pas ardhjes në pushtet, kanë kësi qasje ndaj gazetarëve.

Ne kemi menduar që z. Bekë Berisha është risocializuar dhe nuk ka më mendime të tilla në kokë, por siç po shihet, ai vazhdon të mendojë se të gjitha çështjet zgjidhen me vrasje.

Kërkojmë nga Ju me mirësjellje që të distancoheni nga ky kërcënim dhe të kërkoni falje publike për sjelljen armiqësore dhe kërcënuese të deputetit Tuaj.

Sikurse në të kaluarën, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe përmbushim misionin tonë – raportimin e të vërtetës, pavarësisht presioneve, sulmeve fizike dhe kërcënimeve të tilla.

Me respekt,

Redaksia e Gazetës Online, Insajderi

Kryeministri Haradinaj emëron këshilltar një të dyshuar për lidhje me krimin