Letërkëmbimi i Henri Matisse me Sadik Kacelin

Letërkëmbimi i Henri Matisse me Sadik Kacelin

Sadik Kaceli (1914-2000) u lind në Tiranë në një familje të madhe pranë zonës së Dajtit. Nga viti 1929 ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, ku u specializua në vizatim. Njohuritë e para nga bota e artit i mori nga librat dhe revistat e artit, të cilat i zbuloi në bibliotekën e re Herbert, biblioteka e parë publike në Shqipëri e themeluar nga Lady Carnarvon.

Nga dëshira për të studiuar për art në Francë, ai i shkroi një letër piktorit francez Henri Matisse (1869-1954), i cili iu përgjigj më 12 prill 1936, duke i rekomanduar që të kontaktonte kritikun e artit André Lhote (1885-1962) dhe të studionte në Ecole Nationale Supérieure des Beaux Arts, në Paris.

Por, pavarësisht dëshirës, Kaceli nuk do të shkoje tek Akademia private e Lhotes, por në Shkollën Superiore të Arteve të Bukura të Parisit, duke qenë se do t’i duhej të kthehej më pas në Shqipëri, ku do të shërbente e do t’i njihej vetëm një diplomë vetëm prej një akademie shtetërore.

Kaceli është një ndër artistët më të njohur shqiptar, i cili ka lënë pas një trashëgimi të çmuar. Spikat dhe cikli i tij i nudove apo cikli i pikturave realizuar gjatë periudhës që jetoi në Paris.

Mes tyre është dhe piktura me titull “Zj. Karmen”, realizuar nga Kaceli në periudhën studentore në Paris (1936-1941). Zj. Karmen, në atë kohë në moshë të madhe, ishte modelja e Rodenit të madh, e cila i pozoi Rodenit për skulpturën e famshme “Puthja”.

Sadik Kaceli ishte piktor realist, ndonëse ai asnjëherë nuk dëshironte ose nuk ishte në gjendje që ta përshtaste tërësisht stilin e tij me realizmin socialist. Për këtë arsye gjatë diktaturës u la në harresë për shumë vite. Kujtohet si për portrete, po ashtu edhe peizazhe.