“Let’s Do It” nis fushatën “Dita e Pastrimit Digjital”

“Let’s Do It” nis fushatën “Dita e Pastrimit Digjital”

“Let’s Do It” bën të ditur se ka nisur fushatën “Dita e Pastrimit Digjital” që do të zgjasë deri më 22 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në vazhdën e aktiviteteve që organizata realizon për çdo vit në këtë datë, për shkak të pandemisë, këtë vit Ditën Ndërkombëtare të Tokës po e shënojnë më ndryshe.

Për herë të parë në historinë e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Let’s Do It sjell “Ditën e Pastrimit Digjital” që do të shënohet pikërisht më 22 Prill – 50 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

“Dita e Pastrimit Digjital” synon të sjell vëmendjen e botës tek mbeturinat virtuale – digjitale, për të cilat rrallë herë na shkon mendja se janë “mbeturina”, e që edhe ky lloj mbeturinash ka ndikim në mjedis dhe në jetën tonë të përditshme përmes konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë. Fjala është për aplikacionet e ndryshme, skedarët, fotografitë, videot, etj., që zënë vend në pajisjet tona digjitale (smartphones, laptopë, kompjuterë, etj.) si të papërdorura, të vjetruara apo të papërditësuara.

“Gjurmët e karbonit që lë interneti dhe sistemet që e mbështesin atë përbëjnë rreth 3.7% të emetimeve globale të gazrave serrë, sasi kjo e ngjashme me atë që prodhohet globalisht nga industria e linjave ajrore. Duke pastruar mbeturinat tona digjitale, ne ndihmojmë në uljen e konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë, si dhe krijojmë shprehi më të mira të menaxhimit të të dhënave tona digjitale”, thuhet në komunikatë.

“Let’s Do It” fton të gjithë individët, bizneset e organizatat e ndryshme që t’i bashkohen kësaj fushate, dhe më 22 Prill të shënojmë 50 – vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës duke pastruar mbeturinat tona digjitale.

“Let’s Do It” është organizatë joqeveritare që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Së fundmi, organizata ka themeluar edhe grupin e vullnetarëve që po ndihmojnë në luftën kundër pandemisë COVID-19, të njohur si “Vullnetarët kundër Coronavirusit në Kosovë”.