Lëvizja Vetëvendosje uron LDK-në në 30 vjetorin e themelimit

Lëvizja Vetëvendosje uron LDK-në në 30 vjetorin e themelimit

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate për media e ka uruar Lidhjen Demokratike të Kosovës në 30 vjetorin e themelimit si parti.

“Para 30 vjetëve ishte kohë e vështirë: 1989 ishte vit i suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Milosheviqit, burgjet gjithandej Serbisë e Jugosllavisë ishin mbushur përplot me shqiptarë, kurse demonstratat në Kosovë bëheshin të fuqishme dhe të shpeshta. Po shpërbëhej federata, populli kërkonte republikë, LDK lindi si lëvizje politike, shoqërore e intelektuale, me në krye Dr.Ibrahim Rugovën”, shkruan në urimin e VV-së.

Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në ditë kur do të mbahet seanca e konstituimit të legjislaturës së re të kuvendit, dhe pritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, Vetëvendosje me këtë komunikatë ka vlerësuar punën e përpjekjen e LDK-së për liri e demokraci.

“Shumë punë e përpjekje janë bërë për demokraci dhe liri, nga mijëra e mijëra aktivistë të devotshëm. Urime ditën e themelimit!”, thuhet në urim.