Libri i ri për Donald Trump, më i shituri sipas The New York Times

Libri i ri për Donald Trump, më i shituri sipas The New York Times

Libri i Michael Wolff “Zjarri dhe furia: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”, arriti të jetë numër një në listën e librave më të shitur sipas The New York Times, shkruan CNN, përcjellë KultPlus.

Libri kontrovers rreth Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump doli në shtyp katër ditë më herët, dhe pati një jehonë të madhe në media, pasi që u përcoll edhe me një kërcënim ligjor nga një prej avokatëve personal të Trump.

Libri, i cili detajon fushatën e presidentit Trump, tranzicionin dhe muajt e tij të parë në pushtet, ka shitur mbi 1 milion kopje në katër ditë, tha autori në një intervistë të botuar të mërkurën.

“Unë vazhdimisht po e them është vetëm një libër por është bërë diçka shumë më e madhe”, tha Wolff për The New Yorker.

Trump ka sulmuar këtë libër në mënyrë të vazhdueshme në Twitter, pasi që libri e portretizon atë si një udhëheqës të paaftë, i cili duke mos pasur përvojë në qeverisje ka dëmtuar ndihmësit dhe këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë.

Lista Times, e cila u publikua të mërkurën, pasqyron shitjet e librit deri më datë 6 janar. Lista Times tregon renditjen më të rëndësishme të shitjeve dhe ndikimit të librave. Libri për Trump, “Zjarri dhe furia” radhitet në vendin e parë si për shitjet e librave të shtypur ashtu edhe për ata online.