Liburn Aliu kundër Visar Ymerit: Ai nuk përfaqëson shumicën në VV

Liburn Aliu kundër Visar Ymerit: Ai nuk përfaqëson shumicën në VV

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Librun Aliu ka dalë kundër kryetarit të partisë Visar Ymeri. Sipas Aliut, ajo çfarë ka deklaruar Ymeri në intervistën dhënë në KTV nuk përfaqëson shumicën në LËvizjen Vetëendosje.

” Po demokracia nuk është vetëm procedurë por është edhe procedurë. Ndaj ne duhet t’i ndjekim procedurat tona të brendshme demokratike. Nuk barazohet procedura që na e imponojnë institucionet e kapura me procedurën në një subjekt demokratik si Lëvizja VETËVENDOSJE! Në këtë kuptim çka tha sot Visar Ymeri nuk është qëndrimi i shumicës në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Madje ato janë të njëanshme dhe nuk paraqesin të vërtetën e plotë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Sipas tij, “definicioni i demokracisë së brendshme aplikohet nëpërmjet mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, zbatimit të frymës dhe gërmës së statutit edhe përmes zgjedhjeve të brendshme”.

“Ku çdokush ka të drejtë të kandidojë për Kryetar të Lëvizjes përfshirë dhe Albin Kurtin. Antidemokratike madje në kundërshtim të frymës e gërmës e statutit është që dikush brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! të vendosë kushte, e madje të shantazhojë me tendencën për të eliminuar dikë nga kandidimi për kryetar. Kjo jo vetëm që është e papranueshme por është e dënueshme.Kush thirret në unitet nuk pranon kushtëzimet”, ka shkruar ai.

Nga ana tjetër është e pakuptimtë sipas Aliut të flitet për marrëveshje a konsensus jashtë organeve të saj kur Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka Këshillin e Përgjithshëm legjitim të zgjedhur nga vota e lirë dhe demokratike e anëtarësisë së saj.

“Për këdo nga ne kapërcimi i organeve tona legjitime është sulm ndaj demokracisë së brendshme”, ka përfunduar Aliu./Insajderi.com