Pas 10 orëve negociatash kaotike, para agimit liderët e BE më në fund arritën marrëveshje dhe morën qëndrim të përbashkët për migrimin.

Kjo çështje e ndjeshme rrezikonte BE dhe zonën e lirë në të, por edhe për qeverinë e kancelares gjermane Angela Merkel.
“Liderët e 28 shteteve anëtare të BE janë marrë vesh rreth konkluzioneve të samitit duke përfshirë edhe çështjen e migrimit”, ka publikuar presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk i cili kryesonte në negociata, transmeton Insajderi.com.
Detajet e marrëveshjes nuk janë kumtuar, por presidenti francez Emmanuel Macron i ka thënë gazetarëve se “bashkëpunimi evropian ka fituar”, dhe ka vlerësuar se “është shprehur solidaritet me vendet e hyrjes së parë”.
“Fjala është për një kompromis të mirë. Ekzistojnë deklarimet për relokalizim në bazë vullnetare dhe ata janë të bazuar në konsensus”, ka thënë kryeministri polak Mateus Moravjetzki.
Kryeministri italian Guiseppe Conte, i cili gjatë bisedimeve të djeshme i bllokoi miratimin e konkluzioneve, ka deklaruar se “Italia më nuk është vetëm”. Conte dje ka bërë me dije se nuk do të pranojë çfarëdo kumtese të përbashkët derisa nuk merr çfarë dëshiron në lidhje me migrimin, duke thënë “se kërkon vepra”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, pozita e së cilës gjithashtu është delikate për shkak të konflikteve rreth migrimit brenda koalicionit të saj, dje ka theksuar se çështja e migrimit është “sfidë e cila mund të vendosë për fatin e BE”.
Disa nga propozimeve gjatë negociatave mbi migruesit kanë përfshirë edhe krijimin e “qendrave kontrolluese” në shtetet evropiane të cilët do të paraqiteshin vullnetarisht.
Nga atje migruesit të cilët kanë të drejtë për azil mund të shkojnë në vende të cilat do t’i pranonin.
Për të zvogëluar numrin maksimal të anijeve të cilat vijnë në ujërat evropiane, Tusk ka propozuar që të krijohen “platformat për zbarkim jashtë Evropës” për migruesit, gjë që “do të sillte fundin e modelit ekonomik të kontrabandës me njerëz”.
Ishte paraparë se në samit të debllokohet reforma e të drejtës evropiane për azil, por kjo është braktisur për shkak të diferencave të mëdha./Insajderi.com.