Lideri që refuzoi postin e Ambasadorit në SHBA

Lideri që refuzoi postin e Ambasadorit në SHBA

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministri i Kosovës që është shpallur i pafajshëm nga gjykata për “Rastin MTPT”, sa ishte ministër i Transportit dhe Post-telekomunikacionit, ka rrëfyer se si atij i ishte ofruar posti i ambasadorit në SHBA, vetëm e vetëm të largohet nga ministria dhe të ikën nga Kosova.

“Por, ikjen dhe fshehjen e bëjnë njerëzit e ligë, unë nuk ikë nga vendi im dhe nga punët e mia”, ka pohuar Limaj në një intervistë me Klan Kosovën.

“Ndërkombëtarët kanë pasur oferta për mua. Kam pasur ofertë të jem ambasador në SHBA për të hequr dorë nga ministria”, ka thënë ai.

Pastaj Limaj ka treguar se si ndërkombëtarët i thonin se nuk bën të ndërtohet autostrada e Kosovës për Shqipëri, e aeroporti “Adem Jashari” të privatizohet.

“Më kanë thënë që nuk bën të bëhet autostrada, janë munduar një herë që të më bindin se nuk bën ekonomikisht është e pafavorshme, pastaj më kanë thënë se nuk bën të ndërtohet autostrada pasi Serbia po ndjehet e kërcënuar nga Bashkimi Kombëtar. Por, unë e kam thënë se autostrada do të fillojë dhe do të përfundojë – madje kjo për Serbinë vetëm ma ka shtuar motivin”, tha Limaj.

“Pastaj për aeroportin; një herë donin ta privatizonin, por kam thënë jo, s’mund ta privatizojmë një ndërmarrje rentabile. Më pas kanë shkuar të bëjnë projekt publiko-privat. Donin ta lëshonin për 35 vjet koncesion, por unë refuzova, thash jo; vetëm 20 vjet do ta lëshojmë. Tani është i vetmi aeroport në rajon që është i lëshuar për vetëm 20 vjet. Edhe pak vjet dhe tani i kthehet Kosovës”, tha Limaj.