Lidhja Demokratike e Kosovës ka pezulluar procesin zgjedhor në Mitrovicë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pezulluar procesin zgjedhor në Mitrovicë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar një komunikatë ku ka njoftuar se ka mbyllur procesin e zgjedhjeve të brendshme në degën e LDK-së ne Mitrovicë.

Kjo mbyllje sipas LDK-së vjen pas incidentit që ka ndodhur sot në këtë degë.

Mirëpo Gazeta Insajderi merr vesh se arsyeja e pezullimit është se Faton Peci ka fituar në shumicën e nëndegëve. E kjo është duke e penguar LDK-në në qendër e cila po synon që në krye të degës në Mitrovicë, ta dërgojë Safet Kamberin.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të LDK-së:

Punimet e Kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të LDK-në “Iliridë” dhe “Qendër” në Mitrovicë, të cilat do të duhej të mbaheshin sot në ora 14:00, janë ndërpre në fillim të punës, anipse në to ishin të pranishëm edhe të deleguarit e Kryesisë Qendrore të  LDK-së, për ta monitoruar procesin”, nis komunikata.

“Kuvendet janë ndërpre për shkak të drejtimit dhe menaxhimit skandaloz nga ana drejtuesve të kuvendeve të procesit, pasi që ata nuk ndërmorën asnjë hap për pamundësimin e përpjekjeve që të ndikohet në procesin zgjedhor, duke lejuar që pjesë e këtij procesi të bëhen edhe personat që nuk ishin anëtarë të këtyre nëndegëve dhe të atyre që nuk ishin fare anëtarë të  LDK-së, por të partive tjera politike në Mitrovicë”, thekson LDK’ja.

“Po ashtu, drejtuesit e këtyre dy kuvendeve nuk u angazhuan fare për të qetësuar sjelljet agresive e të dhunshme të disa personave, sidomos në nëndegën “Qendra”, thuhet më tej.

“Me qëllim të qetësimit të situatës dhe tejkalimit të problemeve aty ku ka dhe të konsolidimit të procesit zgjedhor, kryetari i Degës së LDK-së  në Mitrovicë, Safet Kamberi, pas një konsultimi me drejtuesit e LDK-së në Prishtinë, ka marrë vendim që të ndërpritet i tërë procesi zgjedhor i Degës së LDK-së në Mitrovicë.  Procesi  zgjedhor do të vazhdoj  pasi që për këtë të marrin vendim Kryesia Qendrore dhe ajo e LDK-së në Mitrovicë”, përfundon komunikata e LDK’së.