Lidhjet e anëtarëve të bordit të Trepçës me njerëz të politikës

Lidhjet e anëtarëve të bordit të Trepçës me njerëz të politikës

Sot janë emëruar anëtarët e rinj të Bordit të Trepçës. Shumica prej tyre janë njerëz të cilët kanë lidhje me njerëz të skenës politike,  ish-kandidatë komune, asamblist dhe ish-anëtarë të Bordeve të cilët vijnë nga partitë të cilat janë në pushtet.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Trepçës i cili përbëhet prej gjashtë anëtarëve.

Emërat e këtyre gjashtë anëtar janë: Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci.

Por cilat janë lidhjet e tyre me njerëzit e skenës së politikës ?

Shumica prej këtyre emrave që u emëruan sot anëtar të Bordit të Trepçës janë të afërt me njerëz të skenës politike, njerëz partiak dhe avokat.

Njëri nga anëtarët është një nga personat e afërm të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Esat Peci.

Peci në vitin 2017 ka qenë kandidatë për Kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e AAK-së, ndër tjera ai është edhe asamblist i kësaj partie në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, shkruan Insajderi.

I emëruar tjetër është Feriz Fetahu i afërm me njërin nga zëvendësit e kryeministrit të Haradinaj.

Feriz Fetahu vjen nga partia e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj NISMA Socialdemokrate. Fetahu është njëri prej drejtuesve të degës së Nisma në Mitrovicë, ndërsa në zgjedhjet e fundit ai ka qenë kandidatë për asamblistë në komunën e Mitrovicës.

Ndërsa në mesin e të emëruarve është edhe Shyqyri Sadiku, i cili është kryetar i sindikatës së Trepçës.

Po ashtu në këtë bord nuk mungojnë as njerëz të cilët kanë lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës, (PDK), parti kjo e cila udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ardian Syla është anëtar i PDK-së i cili është në mesin e anëtarëve të rinj të Bordit të Trepçës të emëruar sot nga Qeveria e Kosovës.

Syla ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kompania Ujësjellësi Rajonal Prishtina në vitin 2015.

I emëruari i pestë në bordin e Trepçës është dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini”, Naser Peci, dhe i emëruar tjetër është edhe Xhafer Nuhi.

Të gjithë këta emra sot kryeministri Haradinaj i tregoi në mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se ka përmbyllur zotimin e tij për kompletimin e të gjitha bordeve.

Mirëpo, vetëm ministri i Financave Bedri Hamza ka abstenuar për votimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të Trepçës. /Insajderi.com