Ligji i mangët mundëson ‘kandidatë jabanxhi’ për kryetarë komunash

Ligji për Zgjedhjet Lokale ua mundëson personave që të kandidojnë për kryetar komune edhe nëse gjatë jetës së tyre kanë qenë tri vjet banor i asaj komune. Por nuk precizohet periudha, e cila lë të kuptohet se, kandidati për këtë pozitë mund të ketë jetuar në fëmijëve në atë komunë dhe pas shumë vjetësh synon postin e kryetarit të komunës.

Ligji i mangët mundëson ‘kandidatë jabanxhi’ për kryetarë komunash

Në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor, kemi parë se si kandidojnë persona për postin e kryetarit të komunës e të cilët në 3-4 vjetët e fundit nuk kanë jetuar në atë komunë.

Në fakt, këtë e lejon vetë Ligji për Zgjedhjet Lokale. Neni 9 i Ligjit thotë se kandidati duhet të ketë qenë banor i asaj komune së paku tri vjet.

“Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës”, thuhet në këtë Ligj.

Por as neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk flet për këto tri vjetët, por vetëm për ruajtjen e të dhënave të kandidatit deri në certifikimin e tij.

“Sekretariati i KQZ-së, në përputhje me këtë ligj dhe rregullat e KQZ-së, do të mbajë në konfidencë të gjitha informacionet rreth kandidatëve të dorëzuara tek KQZ-ja, deri pas certifikimit të kandidatit nga ana e KQZ-së, përveç rasteve kur Sekretariati i KQZ-së do t’u ofrojë të gjitha agjencive për zbatimin e ligjit secilin informacion të nevojshëm për këto organizata me qëllim të sigurisë gjatë procesit të zgjedhjeve”, thuhet në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Krejt kjo lë hapësirë që, në zgjedhjet lokale të kandidojnë për kryetar edhe personat që dinë shumë pak, apo fare për problemet e asaj komune.

Rrjedhimisht, një kandidat për kryetar mund të ketë qenë banor i asaj komune qysh në fëmijëri, dhe më pas mund të ketë jetuar krejt diku tjetër.

Dhe zvogëlon në mënyrë reale familjarizimin e kandidatit me problemet e asaj komune.

Njohësi i pushtetit lokal, Besnik Tahiri, ka thënë për Insajderin se, në praktikë është dëshmuar se certifikimit i kandidatëve ka ndodhur në periudha të shkurtra që nga momenti i ndërrimit të vendbanimit dhe për rrjedhojë vendvotimit.

“Në rrafshin funksional, kandidati i zgjedhur, në mungesë të qëndrimit të përhershëm në komunën që udhëheqë, krijon një mendësi të administrimit duke mos qenë i familjarizuar me problemet e as në rrjedhë në ngjarjet që ndodhin në komunat”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se kjo shpesh ka shkaktuar polemika nisur nga ato morale e deri tek ato financiare, siç janë shpenzimet e udhëtimit.

“Përtej aspektit ligjor, kandidati është ofertë politike e subjekteve karshi qytetarëve. Kësisoj, jo vetëm se jepet një rol administrues, por para së gjithash zbehen iniciativat dhe potencialet lokale për të drejtuar komunat”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka thënë se kjo nuk është praktikë e mirë, e as standard ndërkombëtar, por nuk mund të quhet as si proces normal i politik-bërjes lokale.

Për më tepër, fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor, ka filluar më 21 shtator.

Në zgjedhjet lokale të tetorit do të garojnë shtatë mijë kandidatë për asamblistë komunalë dhe 200 kandidatë për kryetarë komunash.

Organizimi i zgjedhjeve ka edhe një kosto të majme financiare për buxhetin e shtetit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar subjektet politike garuese që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale.

Gjithsej janë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion; 35 parti politike; 30 Iniciativa Qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (për kryetar komune apo për kuvende komunale, në komuna të ndryshme)./Insajderi.com