Ligji për dialogun nesër dërgohet në kushtetuese

Ligji për dialogun nesër dërgohet në kushtetuese

Partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK, nesër, e premte, do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për dialogun, i miratuar një javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Këto dy parti pretendojnë se Ligji ka nene që bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend, e në veçanti neni përmes së cilit e zhbën ligjin për marrëveshje ndërkombëtare, ligj që buron nga Kushtetuta e vendit.

Përveç këtyre dy partive, edhe shoqëria civile mendon se në Ligj ka nene që bien ndesh me Kushtetutën, madje përmendin qysh nenin e parë të këtij Ligji. Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, që njëherësh është edhe kryetare e komisionit për Legjislacion, për KosovaPress thotë se Ligji për dialogun përmban shumë nene që bien ndesh me Kushtetutën. Përveç se do ta dërgojnë në Kushtetuese, Haxhiu tha se do të kërkojnë edhe masë të parakohshme, që nënkupton që ligji të mos zbatohet derisa të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese. Deputetët opozitar, Gjykatën Kushtetuese nuk e shohin si opsionin e vetëm për ta kundërshtuar këtë Ligj, edhe protestat e demonstratat janë një opsion që po e shqyrtojnë.

Haxhiu ka thënë se nëse vazhdohet me këtë qasje dhe tendencë për të bërë pazare me territorin e Kosovës, janë të obliguar që të thërrasin edhe protesta për të kundërshtuar, siç ka thotë ajo, njerëzit që janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm për mbijetesë politike. Ndonëse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, Haxhiu thotë se ata e kanë humbur besimin tek ky institucion, megjithatë deklaron se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion për ta kundërshtuar këtë proces.

Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është shprehur i bindur se në tërësi Ligji për dialogun është antikushtetues, pasi sipas tij, provohet që disa kompetenca kushtetuese të merren nga ana e ligjit dhe të transformohen. Ai deklaron se nuk mundet me ligj të përcaktohet hierarkia institucionale se kush mund të merret me dialog. Sa i përket asaj që Vetëvendosja mund të organizojë protesta për ta kundërshtuar këtë Ligj, Selmanaj thotë se si LDK janë të kujdesshëm në hapat që i marrin dhe se në këtë fazë nuk kanë menduar për një formë të tillë të reagimit.

Selmanaj deklaron se LDK është parti që së pari shtjerr të gjitha mjetet institucionale dhe kushtetuese dhe më pas nëse vihet në situatë kur rrugët institucionale nuk kryejnë punë, atëherë ai tha, se i kthehen të drejtës legjitime për të protestuar. Se Ligji për dialogun ka nene që bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend e thonë edhe shoqëria civile. Instituti Demokratik i Kosovës në vazhdimësi ka monitoruar procesin e dialogut me Serbinë dhe pas analizës që i kanë bërë këtij Ligji thotë se ka nene që Kushtetuesja mund t’i kontestojë. Violeta Haxholli nga kjo organizatë, për KosovaPress deklaron se Ligji për dialogun ka shumë mangësi. Ajo ka treguar edhe disa mangësi të tjera që në analizën e tyre i kanë evidentuar në këtë Ligj.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për pretendimet e partive opozitare se Ligji bie ndesh me Kushtetutën e vendit, por nuk ka marrë përgjigje.

Projektligji për dialogun një javë më parë është votuar në Kuvendin e Kosovës, e në të njëjtën ditë dritën jeshile ka marrë edhe platforma e hartuar nga ekipi shtetëror për dialog. Kujtojmë se partitë në pushtet, me mbështetjen e PSD-së, me vështirësi kanë arritur t’i sigurojnë votat për të kaluar projektligjin dhe platformën, ndërkohë që në votim nuk kanë marrë pjesë as Vetëvendosja dhe as LDK.