Limaj: Daçiqi nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës se kush negocion për dialogun

Limaj: Daçiqi nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës se kush negocion për dialogun

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke pohuar se as ai e as askush tjetër nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës se kush negocion për dialogun.

Shefi i politikës së jashtme serbe, Ivica Daçiqi sot në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar që zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, të mos e udhëheqë delegacionin e Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel.

Limaj, në një prononcim për KosovaPress, ka theksuar se deklarimi i Daçiqit sot, duke keqpërdorur prezencën e tij në Këshillin e Sigurimit, edhe njëherë shpërfaq politikën serbe, shpërfaq hipokrizinë e politikës që e udhëheqë Daçiqi në njërën anë, dhe në anën tjetër joseriozitetin dhe josinqeritetin në raport me atë çka flasin për dialogun.

“E para, as Daçiqi e as askush nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës se kush negocion për dialogun, dhe tendenca për t’u përzier se kush negocion, kjo tregon se ata nuk janë serioz në temat për të cilat flasin nga do që shkojnë, gjoja për një dialog dhe për një marrëveshje për paqe”, tha Limaj.

“E dyta, është hipokrizi për faktin që pikërisht nga vendi ku ka folur sot Daçiqi, është ai vend që ka formuar Gjykatën Penale të Hagës, në të cilën unë kam dalë, ju kam përgjigjur, nuk jam fshehur sikur kriminelët serbë të cilët Daçiqi i glorifikon kur t’i jepet rasti. Kam shkuar në gjykatë, jam përballur me drejtësinë dhe me vendim të kësaj gjykate jam shpallur i pafajshëm. Bota e civilizuar i vlerëson vendimet e gjykatës”, tha Limaj, ndërsa ka ironizuar deklaratat e zyrtarëve të Beogradit të cilët thotë se “kanë dëshirë shumë me i thënë vetës qytetari e civilizuar, tregon më së miri që ata kurrë nuk janë të gatshëm të pranojnë asnjë standard të qytetarisë në raport me përputhshmërinë e politikës serbe”.

Limaj ka vlerësuar se Daçiqi është njeriu i fundit në këtë botë që mund të flasë për një temë të tillë, “për faktin që ai ka qenë ushtar i Millosheviqit”, regjim të cilin Gjykata e themeluar nga Këshilli i Sigurimit, i ka dënuar gjeneralët e tij për krimet e kryera.

Në muajin shtator, Qeveria e Kosovës formuar ekipin negociator që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedime me Serbinë. Këtij ekipi i prin zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërsa pjesë e delegacionin do të jenë zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli e Dardan Gashi, si dhe Avni Arifi e Mahir Jagxhilar.

Po ashtu qeveria i ka bërë thirrje edhe opozitës që t’i ketë përfaqësuesit e vetë në delegacion.