Limaj duhet ta largojë Milaim Zekën nga partia e tij

Afera e ryshfetit 3 milionësh e Fatmir Limajt nuk mund të mbyllet me vetëm një deklaratë. Limaj mund ta demantojë 3 milionëshin, vetëm nëse e largon Milaim Zeken nga partia.

Limaj duhet ta largojë Milaim Zekën nga partia e tij

Fatmir Limaj kohë të gjatë ka qenë në qendër të vëmendjes. Për të keq. Për miliona euro të keqpërdorura. E ka mbyllur atë kapitull, duke u shpallur i pafajshëm në rastin e famshëm të tenderëve multi milionësh të MTPT-së. Secili ka mendimin e tij për pafajësinë e Limajt.

Shumëkush paragjykon se e ka blerë me para lirinë. Të tjerët i përkasin taborit tjetër: atij që beson verbërisht se Limaj nuk e kishte keqpërdorur asnjë cent të vetëm.

Por, kjo plagë e Limajt është hapur sërish. Jo nga kundërshtarët e tij politik, por nga njeriu i partisë së tij. Nga Milaim Zeka. Ai e riktheu sërish Limajn, në qendër të vëmendjes për të keq. Për ryshfete milionëshe.

Insajderi publikoi sot një audioincizim ekskluziv. Është pjesë e dosjes së hetimeve kundër Milaim Zekës, në rastin e mashtrimit me viza schengen. Biseda ishte incizuar nga vet Zeka derisa ai fliste me Ilir Krasniqin, partnerin e tij të biznesit.

Ata, gjatë bisedës, e portretizojnë Fatmir Limajn si kriminel. Pohojnë se ai u ka kërkuar 3 milionë euro ryshfet disa biznesmenëve gjerman. Sipas partnerit të Zekës, takimi ku Limaj e kishte kërkuar ryshfetin ishte zhvilluar në zyrën e Limajt, gjatë kohës sa ishte ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në momentin kur gjatë bisedës e theksojnë faktin se ryshfeti u kërkua në zyre, ata duan të thonë diçka më shumë për Limajn. E përshkruajnë si të paskrupullt. Zeka nuk e mbaron bisedën me kaq. I tregon partnerit të tij edhe diçka tjetër. Besimin e tij se Limaj do të burgoset së shpejti.

“Qitash ka mu dënu për korrupsion”, thotë Zeka, gjatë kësaj bisede.

Nuk mjaftohet me kaq. Vazhdon ta godasë edhe më fuqishëm Limajn.

“…për tendera që ju ka marrë njerëzve të Gjilanit, e çka s’ka ba more ai. Çka nuk ka ba ai”, thotë Zeka, në audioncizimin e publikuar nga Insajderi, duke shfaqur bindjen e tij se Limaj është i korruptuar skajshëm.

Janë bërë katër orë prej publikimit të këtij materiali. Besoj që Limaj tashmë e ka dëgjuar audioincizimin. Jam i bindur që është nervozuar kur e ka kuptuar se si një deputet i partisë së tij e portretizon si kriminel. Nuk i është gëzuar faktit që Zeka e ruante në telefon një bisedë, ku ai inkriminohej në një aferë ryshfeti prej 3 milionë eurosh.

Por, Limaj nuk është që nuk ishte në dijeni për profilin e Zekës. Ai e kishte ofenduar edhe para se të anëtarësohej në Nisma për Kosovën.

Në shkurt të vitit 2016, Zeka e kishte akuzuar Limajn për shkatërrim të pronës publike. Kishte ironizuar me deklaratat e Limajt, nëpërmjet të cilave kërkonte sundim të ligjit. E kishte quajtur “partizan antikorrupsion”, dhe “njeriu për shtet ligjor”.

“Nuk diti çka me fol pos që e lëshoi një grusht miza, bash si kali i bacit Fekë në Llaushë”, thotë Milaim Zeka për Fatmir Limajn.

Mbetet e mistershme se si Limaj ka pranuar që Zeka të anëtarësohet në partinë e tij, në Nisma për Kosovën. Por, është koha që ta largojë atë.

Nuk është e mjaftueshme që Limaj ta mbyllë aferën e ryshfetit 3 milionësh me vetëm një deklaratë publike. Ai tha për Insajderin se nuk e ka takuar kurrë Ilir Krasniqin dhe se nuk qëndrojnë pretendimet e tij.

Kjo deklaratë nuk e bind askënd. Ai duhet ta largojë nga partia dhe nga grupi parlamentar deputetin Milaim Zeka. Vetëm ky vendim i tij, mund të na bind se nuk ishte i përfshirë në aferën e ryshfetit 3 milionësh. Nëse e mbanë Zekën në parti, ne kemi të drejtë të besojmë se Limaj është i shantazhuar nga “informacionet” dhe kërcënimet e Zekës.

Nëse Limaj e bënë këtë veprim, e largon Zekën, atëherë unë do ta shkruajë një artikull me titull “Fatmir Limaj nuk i ka kërkuar 3 milionë euro ryshfet”. Nëse nuk e bënë këtë, do të qëndrojë gjatë në qendër të vëmendjes për të keq. Për ryshfet e keqpërdorim të miliona eurove.