Limaj ka një porosi për të rinjtë kosovarë

Limaj ka një porosi për të rinjtë kosovarë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj iu bëri thirrje të rinjve që mos të lëshojnë vendin, pasi siç ka thënë ai, “kudo që shkoni duhet të punoni, sepse perëndimi nuk iu presin me lula”.

Ai ka thënë, gjatë një takimi me të rinjtë e Nismës në Shtime, se përmes platformës së tyre do t’i arrijnë qëllimet e tyre, e që janë vetëpunësimi përmes zanatit.

“Jemi në turin e takimeve me strukturat tona, ideja është për të shpalosur angazhimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta, platformës dhe planin tonë, anekënd Kosovës. Ne ende dëshmojmë se nuk e harrojmë atë që e themi. Dy pika kryesore të kësaj platforme janë tema e punësimit dhe stimulimi për vetëpunësim. Të rinjtë e Shtimes duhet të jenë aktivë. Ajo çka ne po promovojmë është që përmes këtij projekti të riaktivizohen të rinjtë. Ne duam që bashkë me ju të fillojmë t’i zgjedhim problemet tona që ballafaqohemi çdo ditë”, tha ai, raporton KP.

Kreu i Nismës shtoi se nuk duhet të shahet shteti, pasi që siç tha ai, nëse nuk iu pëlqen kryetari, duhet ndërruar. Limaj tha se të gjithë kanë përgjegjësi në këtë vend sepse, duke i ikur përgjegjësisë, nuk e ndihmojnë askënd.

“Vetëm të organizuar mund t’i arrijmë objektivat e përbashkëta. Ejani të bashkohemi, që secili ta bëjë një punë të mirë për vendin. Nuk është e mjaftueshme vetëm të ëndërrosh, por duhet të punosh që ajo të realizohet. Kam përshtypjen që shumë shpejt ia kemi kthyer shpinën asaj që bota ëndërron, shumë shpejt kemi humbur solidaritetin, ndihmën ndaj njëri-tjetrin”, tha ai.

Limaj përsëriti se nuk është e nevojshme që ta përfundosh fakultetin dhe të punësohesh. Sipas tij, zanati është pikë e mirë referimi.