Kryetari i Nismës Socialdemokrate është takuar sot me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën e Drenasit, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në “Facebook”, Limaj njoftoi se në këtë takim biseduan për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Bashkë me vëllain e zërit të UÇK-së, bacës Jakup, njëherit kandidatin tonë për deputet në Kuvend të Kosovës, Avdyl Krasniqin, takuam bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetësit tanë socialdemokrat, në Komoran të Drenasit.Bashkëbiseduam për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit dhe për rëndësinë e bashkimit të njerëzve me vullnet të mirë rreth projektit tonë për mbrojtjen e vlerave kombëtare, krah të cilit janë rreshtuar fuqishëm miqtë tanë bashkëluftëtarë në Komoran, familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës sonë të lavdishme dhe qytetarë të shumtë anekënd Kosovës”, shkruan Limaj.
Sipas Limajt, Nisma Socialdemokrate pas zgjedhjeve të parakohshme do të jetë “një zë i fuqishëm i UÇK-së.
“Pas 14 shkurtit, NISMA Socialdemokrate me përfaqësuesit tanë në Parlament do të jenë një zë i fuqishëm i vlerës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të angazhuar e përkushtuar maksimalisht për të mos lejuar askënd të shkatërroj përpjekjet ndër vite të një populli të tërë për liri e vlera kombëtare”, shkruan Limaj./Insajderi.com