Limaj reagon pas vendimit të Kushtetueses për votat e ardhura me postë

Limaj reagon pas vendimit të Kushtetueses për votat e ardhura me postë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votat e ardhura me postë pas afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton Insajderi.

Sipas tij, “aktgjykimi i sotëm i Kushtetueses ktheu ligjshmërinë, forcoi demokracinë dhe përfundimisht ndaloi abuzimet në emër të Ligjit dhe po ashtu edhe atyre që abuzojnë në emër të të drejtës për votë”.

“NISMA ankohet vetëm atëherë kur eshë e bindur se ka pasur shkelje të Ligjit, prandaj të gjitha ankesat tona të përgatitura profesionalisht me të gjetura faktike janë pranuar duke na dhënë të drejtë në shkallë të ndryshme në Gjykata, deri te Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese”.

“Me gjithë përpjekjet për padrejtësi e vonesë në kohë të këtij Aktgjykimi, është ndjesi e mirë, lehtësim emocional e siguri juridike kur fiton e drejta për të cilën gjithë anëtarët e Nismës luftuan”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në faqen zyrtare në Facebook.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka deklaruar të pranueshme ankesën e NISMA-AKR-PD-së ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme për të numëruar votat nga jashtë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ndonëse ato kishin ardhur jashtë afatit të përcaktuar ligjor

Kjo gjykatë ka konstatuar se aktgjykimi nga Gjykata Supreme nuk është në përputhshmëri me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës./Insajderi.com