Autobusi ishte nisur nga Barcelona për të arritur në Bruksel, por në Francë i`u desh të ndalonte urgjentisht për të pritur lindjen e një fëmije.
Vajza e vogël Zenep erdhi në jetë të mërkurën e 8 maj-it në një autobus, midis Parisit dhe Lilës. Nëna e saj po udhëtonte në një Flixbus që po largohej nga Barcelona për të shkuar në Bruksel, por në gjysmë të rrugës ajo u ndje keq.
Shoferët bëjnë menjëherë një ndalesë emergjente në një stacion shërbimi në Ressons (në departamentin e Oise) në orën 3:30 të mëngjesit, dhe njoftojnë shërbimet emergjente për të siguruar që gjithçka të shkonte me sukses.
Lindja rezultoi e sukseshme, Zenep është transferuar së bashku me prindërit e saj në një spital në Compiègne aty pranë. Mami dhe vajza gëzojnë shëndet të plotë dhe për të festuar fundin e lumtur, kompania ka vendosur t’i japë fëmijës udhëtime falas deri në moshë madhore.