Marcello Lippi ka qenë mes të ftuarve kryesorë në një teatër në Milano ku gazeta e mirënjohur italiane “La Gazzetta dello Sport” ka festuar 120 vjetorin e themelimit. Ish-trajneri i Italisë dhe Juventus, kampion bote në vitin 2006 ka bërë e një krahasim mes Paul Pogba dhe Zinedine Zidane.

Mesfushori francez ka përfunduar në “radarin” e klubeve më të mëdha të Europës dhe mund të largohet për 100 milionë euro. Pak a shumë si largimi i Zidane, kur Lippi ishte trajner i Juves.
“Në ditën e parë që u ktheva te Juventus, Agnelli më tha se do të shiste Zidane. Në fillim isha i mërzitur dhe aspak dakord, – deklaroi Marcelo Lippi. – Më pas më siguroi se këto parà që do të vinin nga shitja e tij te Real Madrid do të investoheshin në formimin e një skuadre të fortë dhe ashtu ndodhi. Mbaj mend që mes të tjerëve, erdhën te Juventus edhe kampionë të tillë si Thuram, Buffon dhe Nedved.”
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Në futboll ka ulje-ngritje, momente të bukur dhe momente më pak të bukura. Duhet llogaritur edhe niveli i kundërshtarit që kishte përballë Italia,” – në këtë mënyrë, Marcelo Lippi ka komentuar humbjen që pësuan “axurrët” e drejtuar nga Antonio Conte, në miqësoren e luajtur ndaj Gjermanisë. Italia barazoi 1-1 ndaj Spanjës në miqësoren e luajtur në Udine, ndërsa të martën u mposht 4-1 nga Gjermania në Mynih, në ndeshjet e fundit miqësore para se të përpilohet lista përfundimtare e lojtarëve që do të marrin pjesë në Euro 2016.