Liqeni i Pukës nga baltak rijetësohet në mjedis rekreativ

Liqeni i Pukës nga baltak rijetësohet në mjedis rekreativ

Liqeni i Pukës po transformohet nga një gropë e stërmadhe mbeturinash e ujërash të zeza, rrethuar nga ngrehinat pa leje që u shembën e pastruan, në një liqen të qytetit me shëtitore e mjedise rekreative përgjatë perimetrit të tij.

Kryeministri Edi Rama ka postuar mëngjesin e sotëm në Facebook, disa foto nga transformimi i këtij liqeni si pjesë e projektit të Rilindjes Urbane.

Qyteti i Pukes prej muajit Maj 2017, është duke përjetuar një ndërhyrje të rëndësishme për rikualifikimin e qendrës së qytetit të Pukës dhe Liqenit të Vogël.

Investimi synon ta shndërrojë qytetin e Pukës dhe rrethinat e tij në një destinacion turistik gjithëvjetor nëpërmjet urbanizimit dhe rijetësimit të shesheve të qytetit dhe hapësirave përreth Liqenit të Vogël.

Projekti parashikon ndërhyrje në Sheshin para Bashkisë, i cili përbën pjesën më vitale të qytetit, pasi aty ndodhen institucione të rëndësishme administrative dhe kulturore. Sheshi do të jetë tërësisht këmbësor dhe në qendër të tij, do të vendoset një pasqyrë ujore.

Edhe Sheshi para Hotel Turizmit, do të transformohet në një nyje kryesore të aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytet. Sheshi do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Liqenin e Vogël. Hapësira midis dy shesheve, do të kthehet në shëtitore. Ndërkohë punimet për rehabilitimin e Liqenit të Vogël, konsistojnë në pastrimin total të fundit të Liqenit, rehabilitimin e skarpateve, rritjen e sipërfaqes së pasqyrës ujore dhe përdorimin e hapësirave përreth tij gjatë gjithë vitit. Hyrja për në Liqen do të zgjerohet dhe në jug të saj do të ketë një kënd lojërash për fëmijë.

Ndërsa në zonën lindore parashikohet ndërtimi i pikave panoramike dhe 2 urave. Investimi, që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka një vlerë prej rreth 174 milionë Lekë me TVSH dhe financohet nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB), në kuadër të Projektit “Punët në Komunitet IV”. Punimet parashikohet të përfundojnë në Mars 2018.