Lista e vendeve qytetarët e të cilave nuk mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR

Lista e vendeve qytetarët e të cilave nuk mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR

Nga gjithsej 20 shtete të Evropës është e përbërë lista e vendeve qytetarët e të cilave nuk mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR, transmeton Insajderi.

Italia, Kroacia, Polonia dhe Lihtenshtajni i janë bashkuar kësaj liste së fundmi – për të cilën ka dhënë detaje Ministria e Shëndetësisë.

Nga MSH thonë se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në uebfaqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.

“Lista është e publikuar në uebfaqen e ECDC-së dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria.

Duke u bazuar në këtë listë, shtetet të cilat i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit, janë: Spanja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Holanda, Belgjika, Rumania, Polonia, Çekia, Portugalia, Austria, Irlanda, Hungaria, Sllovakia, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë. /Insajderi.com