Në “heshtje” me kombëtaren shqiptare, por Azdren Llullaku është i pandalshëm sa herë që vesh fanellën e Gaz Metan në kampionatin rumun. Sulmuesi kuqezi shënoi sot golin e tij të 13 në 16 ndeshje të luajtura në kampionatin rumun, në barazimin 1-1 që ekipi i Gaz Metan regjistroi në fushën e vështirë të Vitorul.
Dy skuadrat janë rivale për një biletë në Ligën e Europës në kampionat, ku aktualisht ndajnë vendet 3 dhe 4. Ndaj rezultati i sotëm është shumë i rëndësishëm për Gaz Metan, i cili pas një fillimi shumë të keq të kampionatit, është kthyer në një rival shumë të fortë për çdo kundërshtar.
Llullaku kishte një mundësi të shkëlqyer shënimi që në minutën e 18 të ndeshjes, kur u shfaq i vetëm para portierit kundërshtar, por duke u munduar që të kalonte topin mbi të, e dërgoi shumë lart mbi traversë.
Gjithsesi, ai arriti të shlyente gabimin një minutë më vonë, kur realizoi pas zhvillimit të një goditje këndi, duke shtyrë topin në rrjetë pak hapa larg portës.
Fillimisht anësori e anuloi golin e Llullakut, duke sinjalizuar për pozicion jashtë loje, por pastaj i kërkoi falje sulmuesit shqiptar duke ulur flamurin, pasi ai ishte mëse i rregullt meqë topin ia kishte pasuar një futbollist kundërshtar.
Megjithatë, ky gol nuk mjaftoi që Gaz Metan të merrte tri pikët, pasi Vitorul barazoi rezultatin në pjesën e dytë dhe takimi u mbyll me shifrat 1-1. Llullaku u zëvendësua në minutën e 85 të takimit.
https://www.youtube.com/watch?v=Hsxh8I92fq0