Lokalet do të punojnë deri orën 21:00 në Maqedoninë e Veriut

Lokalet do të punojnë deri orën 21:00 në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për lehtësimin e masave kufizuese në kohë pandemie.

Me vendimin më të ri, nga dita e enjte do të zgjatet përsëri orari i punës për kafeneve, restoranteve dhe lokaleve të tjera gastronomike me çka ata do të kenë të drejtë të punojnë deri në ora 21:00.

Këtë e ka kumtuar vetë ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, përmes postimit në profilin e tij zyrtar në Facebook. Ai ka lënë të hapur mundësinë që nga java e ardhshme të ketë lehtësime shtesë, duke përfshirë këtu edhe mundësinë që orari i lokaleve të zgjatet deri në ora 23:00.

“Sot në seancë të qeverisë, kemi miratuar propozimin, që nga 21 janari, orari i punës për objektet hotelerike të jetë deri në ora 21:00. Javën e ardhshme pasi ta analizojmë gjendjen epidemiologjike në vend, mund të ketë lehtësim shtesë të masave, gjegjësisht orari i punës së kafeneve të jetë deri në ora 23:00” tha Ministri I Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut Venko Filipçe.

Shkurtimi i orarit të punës së kafeneve, restoranteve dhe objekteve të tjera gastronomike, më së voni deri në ora 18:00 u miratua në dhjetor të vitit 2020, në kuadër të masave që u sollën e që kishin për qëllim parandalimin e grupimeve gjatë festave të fundvitit kur komisioni për sëmundje ngjitëse kishte vlerësuar se ekziston rrezik për shpërndarjen e virusit COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë në RVM Venko Filipçe ditëve të fundit njoftoi se në nivel shtetëror është konstatuar ulje e numrit të rasteve të reja dhe numrit të pacientëve me Kovid19 të shtruar në spitalet e vendit. Falë uljes së numrit janë liruar edhe shume shtretër, ndërsa është zbutur edhe presioni mbi spitalet e vendit fqinj.

Zbutja e masave kufizuese, Filipçe tha se do të vijojë vetëm nëse ruhet trendi aktual i rënies së numrit të të infektuarve nga Coronavirusi.

Ai ka bërë apel që edhe përkundër shifrave optimiste, qytetarët të mbajnë nivelin e kujdesit dhe të mos lejojnë paraqitjen e një mini piku të ri, siç ka ndodhur në disa vende të tjera të Evropës dhe botës. /Insajderi.com