Lufta në Jemen e ka kthyer vendin 20 vjet prapa

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara tha se lufta shkatërruese civile pesë-vjeçare në Jemen, e ka kthyer vendin 20 vjet prapa, sa i përket zhvillimit dhe qasjes në edukim.

Lufta në Jemen e ka kthyer vendin 20 vjet prapa

Achim Steiner, administrator i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i tha agjencisë “Associated Press” se “mijëra shkolla janë mbyllur dhe miliona fëmijë nuk janë në gjendje të ndjekin shkollimin”, transmeton REL.

Para fillimit të luftës, Jemeni ishte vendi më i varfër i botës arabe.

Dhjetëra mijëra njerëz e kanë humbur jetën nga lufta e cila ka nisur në vitin 2014.

Në atë kohë, rebelët e njohur si Huthi, morën kontrollin e një pjese të territorit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Presidenti, Abdrabbuh Mansour Hadi, u detyrua të mërgojë.

Në mars të vitit 2015, Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.