‘Lufta speciale’ e votave për një qeveri të brishtë

Koha po kalon, dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) i zvogëlohet fushëveprimi. Rezultati i zgjedhjeve nuk u dha aspak komoditet për krijimin e një qeverie stabile. Tash janë në kërkim të deputetëve tjerë të cilët do t’ia jepnin edhe një shans Ramush Haradinajt ta drejtojë qeverinë. Zyrtarë nga koalicioni PAN vazhdimisht kanë deklaruar se i kanë siguruar edhe ato pak vota të deputetëve tjerë që u duhen për votimin e qeverisë. Por janë demantuar nga partitë por edhe nga individët brenda partive, të cilëve u është lakuar emri që do ta votojnë qeverinë.

‘Lufta speciale’ e votave për një qeveri të brishtë

Nevoja për vota shtesë të deputetëve nga partitë tjera, ka aktivizuar zyrtarët nga tri partitë e koalicionit PAN. Ramush Haradinaj, si mandatar nga ky koalicion u ka dërguar ftesa zyrtare partive tjera – koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA) dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të parë mundësinë për bashkëqeverisje.

Kreu i koalicionit LAA, Isa Mustafa e refuzoi ftesën me arsyetimin se nuk hyn në bashkëqeverisje me PDK-në. Të njëjtën gjë e tha edhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri në arsyetimin e tij rreth refuzimit të takimit.

Edhe pse Haradinaj ka nisur negociatat për formimin e Qeverisë, ai në fakt ende nuk është mandatuar nga presidenti Hashim Thaçi për një gjë të tillë. Presidenti tashmë e ka këtë mundësi pasi KQZ-ja e ka njoftuar atë për certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve.

Koalicioni PAN është në kërkim të votave të deputetëve nga partitë tjera, duke mos përmendur asnjëherë se brenda vetë koalicionit mund të ketë zëra kundër.

Por analistët këtë situatë e shohin pak më ndryshe – thonë se vetë fakti se koalicioni PAN doli keq në zgjedhje, i ka mobilizuar ata që të paktën të mos ketë problem me votat brenda koalicionit.

Imer Mushkolaj, analist politik, nuk beson se brenda koalicionit PAN ka zëra kundër, për shkak të rezultatit jo të mirë në zgjedhje.

“Numri prej 39 deputetësh i ka mobilizuar që krejt këta deputetë të votojnë ‘për’ qeverinë Haradinaj. Nuk besoj që brenda tyre ndokush ka me qenë kundër. Edhe pse, natyrisht, asnjëherë nuk përjashtohet mundësia që dikush me dalë kundër, por nuk e besoj”, ka thënë Mushkolaj për Gazetën Insajderi.

Por rreth deklarimeve të zyrtarëve të PAN-it se i kanë siguruar votat, Mushkolaj e quan ‘luftë speciale’ për ta bindur opinionin publik.

“Këtë çështjen e numrave ata (PAN) e kanë kthyer në një ‘luftë speciale’ për të krijuar bindjen në publik se i kanë numrat, ndërkohë që vazhdimisht po demantohen”, ka shtuar ai.

Por Mushkolaj thotë se ata deputetë të partive tjera që e votojnë Haradinajn për kryeministër, do të jenë të etiketuar për të keq, qoftë nga partia apo edhe nga opinioni publik.

“Por, kushdo qoftë prej këtyre deputetëve të partive jashtë PAN-it që e voton Haradinajn kryeministër, ka me qenë në njëfarë forme shumë i targetuar apo shënjuar edhe nga opinioni publik edhe prej vetë partive të tyre. Kushdo qoftë që e bën këtë akt, unë besoj që nuk e ka të lehtë. Është shumë më vështirë tash të votohet qeveria sesa në vitin 2014”, ka thënë ai për Insajderin.

Qeveri e brishtë dhe e përkohshme

Isuf Zejna nga Demokraci Plus nuk pret që brenda koalicionit PAN të ketë deputetë ‘rrebel’ që do të votojnë kundër ‘Qeverisë Haradinaj’ për shkak të inateve që kanë me PDK-në.

“Në këtë fazë të formimit të qeverisë nuk pritet të ketë deputet rrebel nga koalicioni PAN”, ka thënë Zejna për Gazetën Insajderi.

“Mirëpo, duke pasur parasysh raportet në mes të PDK-së dhe Nismës, sidomos në procesin e zgjedhjeve lokale, shumë lehtë mund të ndodhin përçarje mes deputetëve të këtij koalicioni”, ka vlerësuar ai.

Por, edhe nëse arrihet të formohet ‘Qeveria Haradinaj’, Zejna ka thënë se harmonia mes partive në koalicionin PAN është e përkohshme.

“Kjo harmoni mes këtyre tri partive besoj se është e përkohshme dhe shumë e brishtë e cila nuk do të zgjasë shumë”, ka nënvizuar ai.

“Nëse kësaj ia shtojmë faktin se PAN nuk i ka numrat e nevojshëm për të bërë Qeverinë dhe do të duhet të bëjë kompromise me deputetë nga komunitetet pakicë dhe të tjerë nga LAA apo Vetëvendosje, atëherë lirisht mund të priten pakënaqësi dhe përçarje në këtë koalicion”, ka shtuar ai.

Kjo, sipas tij, do të përkthehej në një qeveri joparimore dhe jofunksionale si dhe qeverisje joefektive pasi që do ta kishte shumë problem kalimin e vendimeve të rëndësishme në Kuvend./Insajderi.com