fbpx

Lumezi është gjallë, kryeprokurori “ka vdekur” 

Prej të martës në ora 3 e 30 të mëngjesit, askush më nuk është i sigurt. As kryeprokurori i Shtetit të cilit iu dha mesazh se kurdo, kudo dhe në çdo kohë mund ta mbysin. Edhe në ambientin në të cilin secili ndjehet më i sigurt – në shtëpi.

Lumezi është gjallë, kryeprokurori “ka vdekur” 

Aleksandër Lumezi fatmirësisht është i gjallë. Por kryeprokurori i Shtetit është vrarë të martën në ora 3 e 30 në shtëpinë e tij në Prishtinë. Nën mbrojtjen e Policisë. Nën mbrojtjen e shtetit.

Njeriu që do të duhej të ishte më i mbrojturi, u cenua fizikisht, u rrezikua familjarisht, u kërcënua seriozisht.

Atij iu mor një telefon, por ju la një mesazh: se nuk je i paprekshëm. Se në shtëpinë tënde, nën mbrojtjen e Policisë, në sy të gruas dhe fëmijëve mund të të vrasim dhe të ikim pa lënë gjurmë.

Pra, kryeprokurori ka mundur të vritej.

Është naivitet të mendohet se një apo grup hajnash kanë pasur qëllim vjedhjen. Ajo nuk ishte hajni, por një sulm i organizuar mirë nga mafia e lidhur me politikën, biznesin e krimin. Telefoni nuk u vodh për t’u shitur në treg. Nuk besoj se dikush deshi që ta marrë telefonin e tij për të gjetur “materiale komprometuese” dhe për ta shantazhuar.

Për një qëllim të tillë do të mund t’i vidhej në zyrë, në veturë, në restorant, në kafene. Pikërisht iu mor në shtëpi, në kohën kur po flinte dhe po “ruhej nga Policia e Kosovës”.

Personi apo personat që hynë në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, nuk janë si Fazli Sejdiu – një hajn fatkeq që hëngri një plumb kur provoi të futej në shtëpinë e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi për të vjedhur ndonjë gjë të vlefshme.

Fazliu, ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim një kohë të gjatë si i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë të kryeministrit. Politika donte që kjo akuzë t’i vihej në barrë këtij të riu. Këtë akuzë ia faturoi një prokuror kosovar, derisa rastin e mori EULEX-i.

Prokurori ndërkombëtar hoqi dorë nga akuza fillestare. E akuzoi Fazliun për vjedhje të rëndë në tentativë. Ai, thjeshtë kishte shkuar natën vonë në shtëpinë e Thaçit për të vjedhur, pa e ditur se ajo ishte shtëpia e kryeministrit.

Hetimi zbuloi se nuk ishin gjetur armë që i përkisnin Fazliuit. Ekzaminimi mjekoligjor i tij nuk dëshmoi grimca të mbetjeve në duart e tij. Vetëm katër gëzhoja ishin gjetur në vendin e ngjarjes të cilat u dëshmua se janë shkrepur nga një pistoletë modeli HS-2000, që i përkiste rojës së sigurimit.

Një gëzhojë tjetër ishte gjetur në vendin e ngjarjes e cila ishte dëshmuar se ishte gjuajtur nga një pistoletë HS-95, që i përkiste vëllait të Hashim Thaçit.

Prova tjetër nuk u zbuluan që do ta ngarkonin Fazliun me një komplot të mundshëm për vrasjen e kryeministrit.

Në shtëpinë e kryeprokurorit nuk ka hyrë Fazliu. As, hajna si ai. Se kush ka hyrë, këtë mund ta dijë vetë kryeprokurori, ndonëse jo me siguri të plotë. Ai është kërcënuar shumë herë edhe nga njerëz të politikës.

Është kërcënuar me rrëzim nga posti nga njerëz që pretendojnë se kanë rrëzuar Jugosllavinë.

Prej të martës në ora 3 e 30 të mëngjesit, askush më nuk është i sigurt. As kryeprokurori i Shtetit të cilit iu dha mesazh se kurdo, kudo dhe në çdo kohë mund ta mbysin. Edhe në ambientin në të cilin secili ndjehet më i sigurt – në shtëpi.