Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek ka thënë sot se është e shqetësuar me faktin se pesë shtete të BE-së nuk po e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lunaçek ka thënë po ashtu se Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek ka thënë sot se Spanja nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të çështjes së saj me krahinën e Katalonisë, në veri-lindje të Spanjës.
Ajo ka krahasuar situatën e Kosovës me Serbinë dhe atë të Spanjës me Kataloninë, duke thënë se bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, shkruan portali serb Kurir, njofton Insajderi.
“Fakti që pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën është diçka që më zemëron mua dhe mendoj që kjo është absurde. Kur flas me spanjollët ata më thonë se janë të shqetësuar se mënyra në të cilën Kosova u nda nga Serbia mund të ketë një efekt mbi Katalonjën”, ka thënë Lunacek.
Ndërsa për katër vendet e tjera, Lunaçek ka thënë se veçanërisht Sllovakia dhe Greqia po mbajnë “një pozitë interesante,” sepse këto vende kanë ambasadat e tyre në Prishtinë dhe lëshojnë viza për qytetarët e Kosovës.
Lunaçek po ashtu i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të implementojnë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Ajo ka thënë se ky asociacion nuk do të ketë fuqi ekzekutive. /Insajderi.com