Lutfi Dervishi bie në kurthin e Gjykatës Supreme

Urologu Lutfi Dervishi e mendonte vetën të lirë, përderisa u arrestua të martën nga Policia. Burime të Insajderit bëjnë të ditur se Dervishi ka thënë të mos ketë qenë i informuar se është në kërkim, dhe se ka qenë jashtë vendit, ani pse autoritetet policore nuk kanë gjetur ndonjë fakt se Dervishi ka hyrë në Kosovë.

Lutfi Dervishi bie në kurthin e Gjykatës Supreme

I njohur si shefi i “klinikës së krimit” dhe i dënuar me tetë vjet burg nga dy gjykata, ajo Themelore dhe ajo e Apelit, Lutfi Dervishi, është arrestuar përsëri të martën, katër vite pasi kishte përfunduar gjykimi ndaj tij.

Dervishi është kapur në arrati, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtarë. Ai është arrestuar në lagjen Ulpiana.

Daut Hoxha nga Policia e Kosovës i ka thënë Insajderi, se policia “ka bërë arrestimin e një të dyshuari i cili ishte në kërkim ndërkombëtarë”.

Krejt kjo pasi rasti më i madh i hetuar dhe gjykuar nga ndërkombëtarët, është prishur nga gjyqtarë vendorë të Gjykatës Supreme, pak ditë para se të përfundojë viti 2016. Krimi i vërtetuar nga dy shkallë të gjykatës në të cilin përmenden si të përfshirë në disa forma edhe njerëz të fuqishëm të shtetit të Kosovës, është kthyer në pikën zero.

Burime të Insjaderit bëjnë të ditur se Dervishi është arrestuar në një veturë. Ai është arsyetuar të mos e ketë ditur se ka qenë në vend.

Madje Dervishi, sipas këtyre burimeve, i ka thënë Policisë se ka qenë jashtë Kosovës dhe se tek sot ka hyrë në vend. Por autoritet policore nuk kanë gjetur ndonjë fakt, që dëshmon se Dervishi ka kaluar në ndonjë pikë kufitare të Kosovës.

EULEX ka thënë për Insajderin, se urdhër-arrestin për Dervishin e ka lëshuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Kërkesa për urdhër-arrest dhe flet-arrest ndërkombëtarë është kërkuar prej prokurorit të EULEX-it për Lutfiun dhe djalin e tij”, ka thënë Besa Domi, zëdhënëse e EULEX-it.

Urologu, Dervishi ishte dënuar në vitin 2013 me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.

Atë e rihapi Gjykata Supreme e Kosovës duke prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë dhe duke e kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale të ligjit.

Kësisoj, të dënuarit me 20 vjet burgim, Lutfi Dervishi, Arban Dervishi dhe Sokol Hajdinin, dhe të tjerët do të rigjykohen për këtë krim me përmasa ndërkombëtare. Ata, kishin qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikantëve të udhëhequr nga mjeku turk, Yosuf Somnez dhe izraelitit Moshe Harel – të dy në arrati.

Ky grup mjekësh dhe trafikantësh tjerë, kishin masakruar djem dhe vajza të reja nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani, Ukraina, Rusia, Moldavia, Izraeli. Blerësit ishin shumica nga Izraeli. Kishte edhe nga Ukraina, Turqia, Polonia, Kanadaja, Gjermania./Insajderi.com

Historia e klinikës së krimit