Lutje dhe një festival domatesh – Mamusha i qerasë me darkë marshuesit pro Erdoganit në Kosovë

Lutje dhe një festival domatesh – Mamusha i qerasë me darkë marshuesit pro Erdoganit në Kosovë

Komuna e Mamushës e cila është komuna e vetme me shumicë turke në Kosovë për herë të nëntë organizoi festivalin tradicional “Festivali i Domates”, i cili ka për qëllim promovim e kulturës dhe zakoneve të komunitetit turk në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali u mbajt  të hënën me një darkë në oborrin e komunës së Mamushës ku të pranishëm ishin ministrja në largim pa portofol e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ambasasorja e Republikës së Turqisë, Kıvılcım Kılıç, kryetari i komunës së Mamushës, Arif Bütüç, shefi i KFOR-it Turk në Kosovë, İhsan Tavazar, zëvendës kryetari i Komunës Metropolitane të Bursës, Abdülkadir Karlık, zëvendës kryetari i komunës së Keçiörenit (Ankara), Nihat Özçelik, kryetari i komunës Zile (Tokat), Lütfi Vidinel, sekretari i përgjithshëm i unionit të spitaleve publike në Sakarja, Hasan Salih Sağlam, anëtar i Këshillit të Bordit Drejtues të Fondacionit Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nga Turqia (IHH), Osman Atalay, veterani i 15 korrikut, Yusuf Çiftçi dhe shumë qytetarë nga Mamusha, Prishtina, Prizreni dhe qytetet tjera të Kosovës.

Pas darkës qytetarët e Mamushës dhe mysafirët e festivalit nga Turqia dhe Kosova marshuan për nder të dëshmorëve të 15 korrikut në Turqi me moton “Marshi i Unitetit Kombëtar dhe Demokracisë”, ku programi vazhdoi me vizitën tek monumenti i dëshmorëve të Çanakalasë e cila ndodhet në këtë qytet ku u lexua duaja e hatmes për dëshmorët.

Më pas filloi ceremonia e mbajtur në shkollën fillore “Anadolu” ku në fillim të kësaj ceremonie u shfaq një film i shkurtër për qytetin e Mamushës dhe pastaj filmi i shkurtër për tentativën e grusht shtetit më 15 korrik 2016 që sipas “Anadolu Agencu” është bërë nga organizata që kjo agjenci e quan “terroriste” duke iu referuar organizatës FETO në Turqi.

Gjatë fjalimit të tij kryetari i komunës së Mamushës, Arif Bütüç tha se Turqia është duke e ndihmuar Kosovën pa bërë dallime etnie me anë të të gjitha institucioneve të saj si TIKA, Instituti “Yunus Emre” dhe shumë institucione të tjera.

Bütüç në fjalën e tij po ashtu thuhet se dënoi edhe pjesëtarët e organizatës që ai e ka quajtur terroriste FETO të cilët sipas tij, sulmuan shtetin turk me një tentativë tradhtare për grusht shteti vitin e kaluar në natën e 15 korrikut.

“Ne qytetarët e Mamushës atë natë (15 korrik 2016) u mblodhëm në parkun Keçiören në parkun e dëshmorëve të Çanakalasë këtu në Mamushë për t’u solidarizuar me popullin e Anadollit dhe atdheut tonë edhe pse jemi larg me kilometra ishim bashkë me ta sepse ne e duam një Turqi të fuqishme. Një Turqi e fuqishme do të thotë një Kosovë e fuqishme”, tha ai.

Ndërsa, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç në fjalën e saj tha se ndjehet e lumtur për faktin se qytetarët e Mamushës me punën dhe prodhimtarinë e tyre janë shembull për gjithë popullin e Kosovës. Ajo theksoi se festivali i sivjemë ka marrë një kuptim domethënës me “Marshin e Unitetit Kombëtar dhe Demokracisë” të qytetarëve të Mamushës, cili është zhvilluar për herë të dytë këtë vit.

Ambasadorja Kılıç më tej shtoi se edhe në këtë festival është kujtuar tentativa makabre e organizatës terroriste FETO, e cila u përpoq në mënyrën më tradhtare të prishë unitetin e popullit turk dhe shtetit të Turqisë por që nuk ia doli.

“Ne atë natë kur ne u përpoqëm për demokraci si popull bashkarisht kemi ndjerë praninë tuaj afër nesh. Kemi ndjerë se jeni afër demokracisë tonë përmes porosive dhe lutjeve tuaja. Ju falënderoj përzemërsisht edhe një herë për solidarizimin madhështor dhe ndihmën tuaj për popullin turk dhe institucionet turke, për presidentin tonë dhe për rendin kushtetues të vendit tonë”, u shpreh Kılıç.

Ministrja në largim pa portofol e Kosovës, Edita Tahiri tha se Mamusha dhe komuniteti turk këtu kanë qenë dhe janë të njohur për trimërinë dhe guximin e treguar në mbrojtje të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.

Ajo më tej tha se Kosova dhe Turqia kanë shumë gjëra të përbashkëta si historinë dhe popujt të cilët jetojnë në Kosovë dhe Turqi janë një urë lidhëse në mes dy vendeve.

“Ne i kemi parasysh sfidat që i ka sot Turqia por unë mendoj se shteti turk është i fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht. Ne gjithmonë do të urojmë dhe do të jemi afër Turqisë për prosperitetin dhe demokracinë që të shkoni përpara”, tha Tahiri.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e mirënjohjeve “të shërbimit për botën turke” nga kryetari i komunës së Mamushës, Arif Bütüç ndërsa për të pranishmit u organizua edhe një koncert zbavitës nga muzicientë nga Turqia./Anadoly Agency.