LVV dhe LDK me vërejte për projekt-ligjin e propozuar nga PDK për vlerat e UÇK-së

LVV dhe LDK me vërejte për projekt-ligjin e propozuar nga PDK për vlerat e UÇK-së

Partia qeveritare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje – kanë vërejte sa i përket projekt-ligjit për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Bunjaku Rexhepi, ka thënë se duhet të ketë disa ndryshime specifike në këtë projekt-ligj.

“Ne si Grup Parlamentar i LDK-së kemi vërejtur disa çështje të cilat lënë hapësirë për keqinterpretim dhe mund të konsiderohen si ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e mendimit. Po ashtu detyrim për veprim për qytetarët në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e tyre. Siç është rasti me nenin 2, apo nenet tjera, janë probleme të theksuara dhe janë në limitin e kushtetutshmërisë. Ne kërkojmë të bëhet këto ndryshime specifike në këtë projektligj. Te neni 2 “obligimi i qytetarëve për të mbrojtur vlerat e UÇK-së”, duhet të riformulohet. Pasi që lë hapësirë për interpretime të shumëllojshme dhe kjo ndikon keq në lirinë e shprehjes dhe mendimit”, tha ajo.

Deputetja tjetër e LDK-së, Besa Gaxheri, ka thënë se dëshmorët e kombit janë vlerë, ndërsa veteranët kanë përgjegjësi deri në fund të jetës së tyre.

Përpos deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe nga Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtime për këtë dispozitë ligjore në tentativë, njofton Insajderi.com.

Rexhep Selimi, Liburn Aliu, Dimal Basha, kanë thënë se ky projekt-ligj nuk është i duhuri për nga përpilimi dhe ka mangësi të mëdha.

Madje, Selimi kritikoi Partinë Demokratike të Kosovës që nuk e ka mbrojtur UÇK-së gjatë historisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe zyra e Bashkimit Evropian, përmes reagimeve publike kanë kundërshtuar këtë projekt-ligj si një cenim i lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të demokracisë. /Insajderi.com/