“Ma dërgoni këtë letër te babi në parajsë”, 7-vjeçari i bën postës kërkesën e pazakontë

“Ma dërgoni këtë letër te babi në parajsë”, 7-vjeçari i bën postës kërkesën e pazakontë

Festat e fundvit janë tashmë këtu. Kemi hyrë zyrtarisht në periudhën më të bukur të vitit, në periudhën kur dritat shumëngjyrëshe dhe zbukurimet në vitrinat e dyqaneve sikur na zbusin zemrën, e na bëjnë të ndihemi edhe më nostalgjikë.

 

E sigurisht që fëmijët janë të parët që i gëzohen më shumë këtyre ditëve dhe përgatisin që tani listën e gjatë të dhuratave që dëshirojnë të marrin.

Por Jase Hyndman, edhe pse 7 vjeç, sivjet nuk ka shkruar asnjë letër për Babagjyshin, por për babain e tij të ndjerë. Vogëlushi ka emocionuar të gjithë stafin e postës britanike ‘’Royal Mail” me letrën e tij, e cila duhej të mbërrinte në Parajsë, aty ku i ati pushon prej 5 vitesh.

‘’Zoti postier, ju lutem mund ta dërgoni në Parajsë këtë letër? Babai im ka datëlindjen dhe dua që të lexojë atë që i kam shkruar”-mendohet të kenë qenë fjalët e vogëlushit, ditën kur dorëzoi letrën me të ëmën. Por nëse mendoni se askush nuk do të kujtohej për të, gaboheni, pasi brenda pak ditësh nuk vonoi as përgjigjia nga posta.

‘’I dashur Jase, të kërkojmë falje që po të shkruajmë tani. Me siguri ke pritur prej ditësh përgjigjen tonë, por postierët tanë u lodhën derisa ia dorëzuan babait tënd. Na u desh të kalonim yjet dhe galaktikat derisa mbërritëm në portat e Parajsës. Rri i qetë, babai yt u gëzua shumë kur mori vesh se i kishe shkruar”-shkruhej në letrën e dërguar nga zëvendës drejtori i postës britanike, Sam Milligan.

Mamaja e Jase ka ndarë këtë histori në profilin e saj në Facebook, duke emocionuar të gjithë, si dhe duke na bërë të besojmë edhe një herë sa e rëndësishme është të japësh dashuri jo vetëm para festave, por çdo ditë të vitit.