Maas në takim me Kurtin: Gjermania mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Maas në takim me Kurtin: Gjermania mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Temë e takimit ishte çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.

“Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime, dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë. Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, në njoftim thuhet se ministri gjerman e ka uruar Kurtin me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.

“Gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”./Insajderi.com