“Maat” aksioni i vajzave nga Prishtina në ndihmë të familjeve të varfra   

“Maat” aksioni i vajzave nga Prishtina në ndihmë të familjeve të varfra   

Dorotea Deshishku është 21 vjeçare nga Prishtina. Çdo fundvit ajo organizon aksionin “Maat” në ndihmë të familjeve të varfra.

Ajo bashkë me motrën dhe tri shoqet e tyre që nga viti 2013 kanë filluar këtë aksion, fillimisht vetëm nëpër disa shkolla. Qëllimi i projektit sipas Doroteas është lëvizje e njerëzve dhe e organizatave që punojnë së bashku për të luftuar varfërinë ekstreme.

Ky aksioni është rritur për këto katër vite, tash vajzat e “Maat” janë në shërbim të 242 familjeve. Këto familje do të marrin produkte ushqimore e higjienike si “dhurata” këto ditët e fundit të dhjetorit.

Dorotea ka treguar për Insajderin se në çfarë forme organizohen për të ndihmuar këto familje.

“Kur të ofrohet viti i ri disa muaj përpara fillojmë përgatitjet. I dërgojmë pemët e krishtlindjeve nëpër shkolla edhe i dekorojmë me do karta. Në ato karta i shkruajmë produkte të ndryshme qoftë ushqimore –higjienike apo tjera. Pastaj fëmijët e marrin një kartë edhe varësisht çka shkruan në atë kartë ai gjatë muajit dhjetori sjellë produkte në shkollë e mandej ne i mbledhim dhe ua dërgojmë familjeve”, tha ajo.

Aksioni që fillimisht ka nisur në çerdhe dhe disa shkolla kryesisht private në Prishtinë, sipas Doroteas është zgjeruar.

Si partner të projektit “Maat” tashmë janë 15 institucione edukative dhe biznese vendore për mbledhjen e ndihmave dhe fondeve.

Ajo thotë se atyre u janë ofruar edhe kompani dhe individ të vullnetit të mirë.

“Po na ndihmojë edhe kompani të ndrysheme si p.sh ato që merren me miell na ndihmojnë me këtë produkt “, tha ajo.

Dorotea bënë ftesë që të gjithë të bashkohen në luftën kundër varfërisë. Ndihma mund të bëhet edhe online, procedura zgjate 1-2 minuta.

Ajo siguroj se 100% të fondeve të mbledhura do të përdoren për blerjen e produkteve ushqimore dhe higjienike.

Donacionet e secilit madje janë publike.

Këtë vit përgatitjet kanë filluar para dhjetorit. Sipas saj nesër është dita e fundit e mësimit për këtë vit, prandaj edhe i mbledhin të gjitha produktet e grumbulluara për t`i paketuar e shpërndarë si dhurata te këto familje.

Dorotea momentalisht po i ndjek studimet në Amerikë, madje edhe iden për të ndihmuar familjet në nevojë e ka marrë nga atje. Si 15 vjeçare derisa ishte në një program të Ambasadës së Amerikës në shkollën ku ishte kishte pasur organizime të tilla.

Thotë se është e lumtur që kjo nismë e saj është duke u përkrahur.