"Eja në Kosovë"

Macron ftohet nga Hoti ta vizitojë Kosovën

Avdullah Hoti po qëndron në Francë. Prej vitesh një kryeministër kosovar nuk vizitonte Parisin. Në këtë takim Hoti i ka bërë ftesë presidentit francez që t’ia kthejë nderin e ta vizitojë Kosovën.

Macron ftohet nga Hoti ta vizitojë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka bërë ftesë presidentit francez, Emmanuel Macron, që ta vizitojë Kosovën, njofton Insajderi.

Ftesa e Hotit për Macron ka ardhur gjatë takimit që kanë pasur të dy liderët sot në Pallatin Elysee në Paris.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti, siç njofton kryeministria, e ka siguruar presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese.

“Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë”.

“Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën për media.

Hoti ia ka ritheksuar edhe presidentit francez se “Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

Presidenti Macron dhe kryeministri Hoti në këtë takim u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë./Insajderi.com