Macron: NATO është në gjendje të trurit të vdekur

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka thënë se NATO është në gjendje të “trurit të vdekur”, në një deklaratë për të përjavshmen “Economist”, duke arsyetuar këtë me zvogëlimin e angazhimit amerikan dhe sjelljen e Turqisë, anëtare e NATO-s.

Macron: NATO është në gjendje të trurit të vdekur

“Ajo çfarë ne jemi duke përjetuar tani është vdekja e trurit të NATO-s”, ka thënë Macron.

Ai ka thënë se tani duhet sqaruar se çfarë janë qëllimet strategjike të NATO-s, dhe përsëri është angazhuar për forcimin e mbrojtjes evropiane. Samiti i NATO-s duhet të mbahet në dhjetor në Londër.

“Nuk ka asnjë koordinim të vendimit strategjik të SHBA me partnerët e NATO-s dhe ne po marrim pjesë në një agresion të cilin po e zbaton një tjetër anëtare e NATO-s, Turqia, në zonën ku janë në pyetje interesat tona, pa koordinim”, ka thënë Macron dhe ka shtuar se ajo çfarë ka ndodhur paraqet “një problem të madh për NATO-n”.

Shefi i shtetit francez ka pyetur se çfarë do të ndodhë me nenin 5 të Kartës së Aleancës i cili parasheh solidaritet ushtarak në mes anëtareve të Aleancës nëse njëra prej tyre sulmohet.

“Çfarë do të paraqet nesër neni 5? Nëse regjimi i Bashar al Assadit vendosë t’i hakmerret Turqisë, a do të angazhohemi edhe ne? Kjo është pyetja e duhur”, ka thënë Macron.

Ai ka përkujtuar se ata janë obliguar të luftojnë kundër Shtetit Islamik. “Paradoksi është se vendimi amerikan dhe ofensiva turke janë dy raste të cilat kanë rezultat të njëjtë: flijimin e forcave demokratike siriane, partnerëve tanë në teren të cilët kanë luftuar kundër ISIS-it”, ka vlerësuar presidenti francez./Insajderi.com.