Mahmuti: Emri im nuk figuron në listën e votuesve, KQZ duhet të dënohet

Mahmuti: Emri im nuk figuron në listën e votuesve, KQZ duhet të dënohet

Publicisti Bardhyl Mahmuti, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të dënohet, pasi sipas tij, po vepron në mënyrë kriminale duhet mos ua respektuar qytetarëve të drejtën e votës, njofton Insajderi.

Mahmuti ka pohuar se përkundër që ka aplikuar me kohë, emri i tij nuk figuron në listën e votuesve.

Ai ka bërë të ditur se është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tek i cili shpreson që ta shqyrtojë kërkesën e tij.

“Para përfundimit të afatit për shpalljen e listave zgjedhore me postë për zgjedhjet e 14 shkurtit, kërkova ndihmën e mediave në Kosovë që të sensibilizohet opinioni publik me dyshimet që shpreha lidhur me mënyrën e përzgjedhjes nga ana e KQZ-së të votuesve nga diaspora.

Dyshimet e mia dolën të sakta. Përkundër asaj se kam aplikuar me kohë dhe kisha shprehur gatishmërinë që të përgjigjesha në telefon nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 23 e mbrëmjes, askush nuk më kontaktoi dhe emri im nuk figuron në listën e votuesve”, ka shkruar Mahmuti në Facebook./Insajderi.com