Mahmuti: Tash e dy dekada Serbia po mundohet ta mbulojë gjenocidin e kryer në Reçak

Mahmuti: Tash e dy dekada Serbia po mundohet ta mbulojë gjenocidin e kryer në Reçak

Publicisti Bardhyl Mahmuti ka reaguar lidhur me deklaratat e Presidentit të Sërbisë, Aleksandër Vuçiq për Masakrën e Reçakut. Mahmuti ka thënë se kjo deklaratë e Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi dhe se është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Mahmuti ka thënë se tani që po mbushen 21 vjet nga krimi i gjenocidit në Reçak, shteti serb dhe presidenti i saj dëshirojnë ta mbulojnë të vërtetën për Reçakun me propagandë, duke menduar se pluhuri i kohës mund të ketë mbuluar edhe të vërtetën për këtë krim të planifikuar e të zbatuar nga shteti serb.

“Arsenali propagandistik i shtetit serb duke u përpjekur ta shkatërrojë të vërtetën, ka sajuar gënjeshtrën se gjoja të vrarët paskëshin qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se gjoja pas përfundimit të betejës, trupave të tyre u janë hequr uniformat dhe u janë veshur rroba civile. Se kjo është një gënjeshtër dhe një fyerje e rëndë ndaj viktimave, këtë e dëshmojnë edhe ekspertët mjeko-ligjorë finlandezë, që ishin ngarkuar nga Bashkimi Europian për të bërë një ekspertizë të pavarur”, ka shkruar Mahmuti.