Majko i reagon Vuçiqit: Sovraniteti i Kosovës garantohet nga NATO, jo nga instagrami

Majko i reagon Vuçiqit: Sovraniteti i Kosovës garantohet nga NATO, jo nga instagrami

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit ka publikuar një fotografi ku shihet harta e Kosovës me flamurin e Serbisë, përcjell Insajderi.

Majko, i cili dikur mbante postin e kryeministrit të Shqipërisë, ka thënë se sovraniteti i Republikës së Kosovës garantohet nga NATO e jo nga rrjeti social Instagram, aty ku Vuçiq ka publikuar fotografinë e hartës.

Sipas ministrit shqiptar, me publikimin e kësaj fotografie, Vuçiq ka treguar se i pëlqen papajtueshmëria.

Ai ka shtuar se ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram!”, ka shkruar Majko në profilin e tij në Facebook.

Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, Presidenti i Serbisë Vucic, tregon se i pëlqen…

Posted by Pandeli Majko on Thursday, March 18, 2021

Kujtojmë se, Aleksandar Vuçiq mbi fotografinë të cilën e ka postuar në Instagram ka shkruar se “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.

Këtë ai e ndërlidhur me trazirat e marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe tetë serbë derisa qindra të tjerë u lënduan.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë./Insajderi.com