Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, i ka siguruar medalje Kosovës, duke u kualifikuar në final" />

Majlinda e mrekullueshme, i siguron medalje Kosovës

Majlinda e mrekullueshme, i siguron medalje Kosovës

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, i ka siguruar medalje Kosovës, duke u kualifikuar në finale të Grand Prixit të Tel Avivit në Izrael në kategorinë -52 kg.

Për t’ia siguruar Kosovës medaljen e parë për vitin 2019, Majlinda e mundi në gjysmëfinale xhudisten nga Rumania, Andreea Chitu, raporton Insporti.

Majlinda pati shumë punë me Chitun, por pas disa përpjekjeve, pothuajse pas 4 minutave luftë, ia doli që të triumfojë me Ippon, duke i siguruar Kosovës medaljen e Argjendtë.

Majlinda, tani në finale do të kërkojë medaljen e artë, që do të ishte e para për vitin 2019.

Rrugëtimi i Majlindës deri në finale…

Kampionia Olimpike e kaloi rrethin e parë pa luftë, derisa në atë të dytë pati punë me xhudisten nga Gjeorgjia, Tetiana Levytska-Shukvani, raporton Insporti.

Majlinda e kaloi pa shumë probleme rrethin e dytë, duke e mundur me Ippon Tetianan.

Kjo fitore ia siguroi Majlindës një vend në çerekfinale të Grand Prixit në Tel Aviv të Izraelit, aty ku u përball me xhudisten zvicerane, Fabienne Kocher.

As Kocher nuk ishte kundërshtare e rangut të Majlindës, që e mundi me Ippon gjithashtu, për të siguruar gjysmëfinalen.

Në gjysmëfinale, Majlinda pati punë më të vështirë, pasi u përball me xhudisten shumë të njohur, me të cilën është përballur shpesh edhe në të kaluarën, rumunen, Andreea Chitu.

Por, numri një i botës në xhudo e kaloi edhe këtë pengesë, duke triumfuar me Ippon.

Kështu, Majlinda ia siguroi medaljen e parë Kosovës për vitin 2019, teksa synimi i saj është që të triumfojë në finale dhe të rrëmbejë krejtësisht medaljen e Artë.

Në finale, në kategorinë -52 kg, Majlinda do të përballet me xhudisten vendase, Gili Cohen, e cila e mundi në gjysmëfinale bashkëkombësen nga Izraeli, Gefen Primo. /Insporti.com