“Makineria” politike e Putinit, po jep difektet e para

“Makineria” politike e Putinit, po jep difektet e para

Kushdo që e ka vëzhguar politikën e Kremlinit prej një kohë të gjatë, ka vënë re diçka të çuditshme:Rusia është shumë e heshtur. Nuk duket se po shpaloset ndonjë lojë e madhe politike. Rusi i zakonshëm, është shumë i zënë vetëm me sigurimin e mbijetesës së vet, dhe e ka humbur interesin për t’i parë sulmet në Ukrainë apo arritjet e Moskës në Siri, në rrjetet televizive të kontrolluara nga Kremlini.

A do të thotë kjo, se duhet të presim që Vladimir Putini të nisë një aventurë të re politike vitin që vjen? Plani i Kremlinit për rizgjedhjen e Putinit në vitin 2018, ishte që të sigurohej të merrte më shumë vota se sa në çdo palë zgjedhje të mëparshme, përfshirë edhe vitin 2008, kur president u bë Dimitri Medvedev.

Një komunist i moderuar, dhe disa vipa të televizonit me disa kredenciale liberale, u angazhuan për të luajtur rolet mbështetëse, dhe për të diversifikuar zgjedhjet. Ishte një sukses. Kremlini fitoi në një palë zgjedhje krejtësisht të pakontestuara. Menaxhimi politik i Rusisë, dukej se ishte aq shumë i zënë me krijimin e dramës në një garë jashtëzakonisht jo-dramatike, saqë i mori lehtë të gjitha politikat paszgjedhore.

Aspekte të pakëndshme politike, si rritja e taksave dhe e moshës së daljes në pension, u shtynë deri pas zgjedhjeve. Ata besonin qartazi se sapo të kishte përfunduar shfaqja e madhe,nuk mund t’u shkaktohej asnjë dëm. Në fakt, vetëm pas zgjedhjeve, nisi të zbulohej çdo gjë.

Votuesit e urrenin rritjen e moshës së daljes në pension. Plasi një skandal ndërkombëtar i spiunazhit. Popullariteti i Putinit, arriti pikën më të ulët në 4 vite. Zgjedhjet në shtator, shkuan keq në disa rajonee.

Patriarku i Konstandinopojës me qendër në Stamboll, vendosi të ndiqte thirrjen e Ukrainës për të krijuar një kishë ortodokse lokale me qendër në Kiev, duke sabotuar përpjekjet e Moskës për të ruajtur së paku një autoritet të bazuar tek besimi mbi Ukrainën.

Asnjë nga këto ngjarje, nuk ishte fatale në vetvete. Skandalet e spiunazhit, ndodhin gjatë gjithë kohës. Vlerësimet e nje figure politike, pësojnë ulje-ngritje të vazhdueshme. Në zgjedhjet e shtatorit, shumica e rajoneve, luajtën me përkushtim lojën e Moskës, dhe votuan për kandidatët e miratuar nga Putini (vetëm 4 nga 26 rajonet që zhvilluan zgjedhje këtë vit, nuk bashkëpunuan.)

Po çfarë janë 4 rajone, për një vend me 80 e ca rajone? Çështjet e kishës nuk janë aspak të mëdha. Në shekullin XXI-të, kisha nuk ka më poziitën e dikurshme.

E megjithatë të gjitha këto çështje të marra së bashku, i ngjajnë një uturime të pazakontë në motorin e ”makinës” politike të Putinit, të prodhuar nga një mekanizëm i gabuar. Për gati dy dekada, Vladimir Putin dhe rrethi i tij i brendshëm, u nxitën nga pasioni për ta kthyer sistemin e tyre politik, në një instrument efikas.

Ata zhdukën të paparashikueshmen dhe të dobëtit. Ata zëvendësuan zyrtarët jo besnikë. Ata vendosën burokratë kompetentë, në vend të atyre që nuk janë të aftë. Ata gjithashtu përndoqën, ndoqën penalisht, burgosën dhe çuan në mërgim ata që ishin shumë kokëfortë, ose të pakompromentueshëm.

Vrasjet politike në Rusi gjatë 20 viteve të fundit nuk janë hetuar siç duhet, prandaj ne do t’i lëmë tani për tani jashtë tablosë. Për vite me rradhë, Kremlini ka qenë i zënë duke neutralizuar armiqtë – armiq nga pikëpamja e Kremlinit. Ligjbërësit, që refuzuan të bashkëpunonin, u hoqën për t’i bërë vend “politikë bërësve ekspertë” që janë në listë-pagesën e Kremlinit.

Biznesmenët u shpronësuan, jo sepse Putini kishte qenë dikur komunist, por në emër të sigurisë kombëtare – ekspertët e sigurisë së Kremlinit do t’ju thonë kështu. Gazetat që nuk pranuan të bashkëpunonin u mbyllën, jo pse ishin të pavarura, por sepse sipas pikëpamjes së Kremlinit ato financoheshin nga interesa kundërshtare, shpesh të huaja – ekspertët e medias së Kremlinit do t’jua thonë këtë.

Figurat publike, sipërmarrësit dhe gazetarët që nuk janë më të pranishëm në skenën politike, nuk mungojnë për shkak të bindjeve të tyre – ata kanë bindje të ndryshme – por për shkak se ata u kishin zënë hapësirën ekspertëve. Kremlini nuk ka ideologji, të paktën jo në kuptimin e konceptit të shekullit XX-të.

Por Kremlini beson në fuqinë e ekspertizës. Eksperti i sigurisë, e bën jetën të sigurt. Eksperti politik, harton politikën e brendshme. Dhe ekspertët e medias e rregullojnë më mirë se sa partia PR-në (marrëdhëniet publike) e Kremlinit. Por kohët e fundit, “makina” politike e Kremlinit është bërë shumë e pranishme, dhe zhurma e saj është shurdhuese.

Ne do të dëgjojmë shumë më shumë nga ajo. Disa në Rusi presin që Putini të nisë një aventurë të madhe politike. Kur është gjendur në rrethana të ngjashme në të kaluarën, Putini është përgjigjur duke krijuar një krizë të vetën:një operacion ushtarak jashtë vendit, ose një riorganizim të madh politik në shtëpi.

Çfarë po përgatit këtë herë? Ndoshta një përplasje me Shinzo Aben e Japonisë mbi Ishujt Kuril? Elementi i vetëm që i shpëton Kremlinit, dhe shpesh edhe ekspertëve, është llogaria e faktorit njeri. Ruset janë aktualisht të zhgëjyer me manovrat e Kremlinit.

Makineria politike ka funksionuar kaq mirë në vitet e fundit, saqë sfidat e vetme që panë udhëheqësit ishin probleme ekzotike. Arritja e një numri të caktuar votash në zgjedhje, ishte një lloj sporti politik. Është e gabuar të mendohet që regjimet autoritare rriten vetë, në mënyrë organike. Ashtu si demokracitë, edhe ato duhet të ushqehen dhe të mbrohen.

Dhe ashtu si demokracitë, ato mund të merren lehtësisht si të mirëqena nga ata që përfitojnë prej tyre. Regjimi rus, nuk duket si ai i kryeministrit hungarez Viktor Orban apo i presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ai i ngjan më shumë një regjimi të lodhur, i cili mund të shkaktojë pakënaqësi dhe revoltë, pasi ka kaluar shumë kohë, dhe liderët e tij janë bërë shumë arrogantë për të dëgjuar zërin e atyre poshtë.

Nga Maxim Trudolyubov; “Moscow Times” – Bota.al