Malta shpëton 216 emigrantë në Detin Mesdhe

Malta shpëton 216 emigrantë në Detin Mesdhe

Një anije patrulluese e forcave të armatosura të Maltës i ka shpëtuar më shumë se 200 emigrantë që ndodheshin në dy barka në Detin Mesdhe dhe i ka dërguar ata në territorin e këtij shteti të vogël.

Së paku një grua shtatzënë dhe disa fëmijë janë në mesin e 216 emigrantëve të shpëtuar. Nuk dihet ende se cila është kombësia e tyre.

Një zëdhënës i forcave të armatosura tha se anija patrulluese fillimisht është dërguar për t’i shpëtuar emigrantët që ndodheshin në një barkë që po përmbytej. Më vonë, anija e ndërroi drejtimin dhe i mori edhe emigrantët e një barke tjetër.

Forcat e armatosura njoftuan se përmirësimi i kushteve të motit ka ndikuar në shtimin e përpjekjeve ilegale për të hyrë në Evropë nga Libia, Tunizia dhe Algjeria. Kështu, 12 barka kanë arritur në Sicili, Sardenjë dhe Lampeduza.

Roja detare e Libisë njoftoi të premten se i ka shpëtuar 290 emigrantë pranë kryeqytetit Tripoli.