“Mami a ka me na rreh prapë babi”

“Mami a ka me na rreh prapë babi”

Ishin fjalët e një vogëlushi 4-vjeçar i cili para disa dite qëndroi në strehimore si rrjedhojë e dhunës në familje.  E si ky vogëlush ka plotë të tjerë që të sotmen e jetojnë me frikën se çfarë do t’ju ndodhë të nesërmen…

Dhuna në familje është një problem serioz në të gjithë botën dhe ka ndikim negativ si në familje ashtu edhe në shoqëri. Dhuna në familje ekziston në disa forma, duke filluar prej abuzimit emocional e deri edhe me vdekje.

Në të shumtën e rasteve viktima të dhunës janë kryesisht gratë dhe fëmijët.

E pikërisht janë fëmijët  ata që e përjetojnë më së rëndi një situatë të tillë sepse niveli i zhvillimit të tyre psikologjik nuk i lejon të kuptojnë situatën e dhimbshme në familje, të cilën e përjetojnë. Një situatë e tillë familjare, që i shoqëron ata gjatë zhvillimit psikofizik të tyre, lë gjurmë të pashlyeshme dhe ndikon në formimin e personalitetit të tyre.

Fëmijët që jetojnë në ambiente dhune vuajnë nga trauma emocionale, psikologjike dhe sociale.

Këta fëmijë janë dëshmitarë të dhunës që  ushtrohet ndaj nënës së tyre, ata e shohin të ëmën  të kërcënuar, të dëmtuar ose fizikisht ose seksualisht të sulmuar. Ata do të dëgjojnë konfliktet dhe do të shohin pasojat e dhunës, siç janë lëndimet e nënës së tyre dhe reagimi i saj traumatik ndaj dhunës.

Disa nga pasojat që ekspozimi në ambiente të dhunshme mund të shkaktojë tek fëmijët janë:

Përqendrim i dobët, agresivitet, mosbindje, hiperaktivitet, gjumë i shqetësuar, vetëbesim i ulët, frikë, pasiguri, nuk shfaqë emocione, kanë fjalor të kufizuar dhe vulgar etj.

Përveç shpërdorimit emocional, fizik, social dhe dëmeve të tjera që shkaktohen tek fëmijët , studimet tregojnë se dhuna në familje mund të bëhet gjithashtu një sjellje e mësuar. Kjo do të thotë që fëmijët mund të rriten me mendimin se është në rregull të përdorin dhunën për të marrë atë që ata dëshirojnë.

Këtë sjellje të mësuar fatkeqësisht  më ka rastisur ta shohë shumë shpesh në rastet që kam trajtuar gjatë qëndrimit të tyre në strehimore. E kur flasim për qendrat strehuese, që për viktimat e dhunës në familje  janë dyert e vetme të hapura,  qëndrimi i fëmijëve për një kohë të gjatë në këto qendra nuk është zgjidhja më e mirë.

Kjo për faktin se, fëmijëve të strehuar  pasiguria se çfarë do të ndodhë me fatin e  tyre vetëm sa vjen e rritet, por më  e keqja është që në qendrat strehuese fëmijët janë të ekspozuar ndajë rrëfimeve të ndryshme traumatike të përjetuara nga klientët e tjerë e që bënë riviktimizimin  e tyre.  Është mëse e domosdoshme që të krijohen forma alternative të strehimit për nënat me fëmijë që janë viktima të dhunës në familje, sepse vetëm duke vepruar kështu mund ti kursejmë nga pasojat e hatashme që brendësia e tyre e vogël mund ti kapërdijë.

Nëse vërtetë e doni më të mirën për fëmijën tuaj atëherë  thuaj dhunës ndal.

Përqafoje! Është fëmijë, është fëmija juaj.

Shkruan: Elmedina Sejdiu- Punëtore Sociale në Qendrën Sociale në Prishtinë.