Manchester City fiton me përmbysje sfidën e parë gjysmëfinale ndaj PSG-së në Champions League

Manchester City fiton me përmbysje sfidën e parë gjysmëfinale ndaj PSG-së në Champions League

Manchester City ka fituar përballjen e parë gjysmëfinale në Champions League, duke fituar me përmbysje sfidën e zhvilluar në Francë ndaj PSG-së, me shifrat 1:2, njofton Insajderi.

Të parët krijuan epërsinë nikoqirët me golin e shënuar me kokë nga qendërmbrojtësi brazilian Marquinhos në minutën e 15-të të ndeshjes. Pjesën e parë e dominuan vendasit duke krijuar edhe disa raste tjera shënimi, por pa arritur të dyfishonin rezultatin. Fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll me epërsinë minimale të vendasve.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, lojtarët e Guardiolës ishin më të sigurt në atë çfarë kërkonin, pasi pjesën e parë e kishin mbyllur pa kontroll të ndeshjes. Kështu, në 45’ minutat e dytë, City do të ishte në gjendje të shënonte dy herë, rrjedhimisht do të përmbyste rezultatin.

Fillimisht riktheu baraspeshën De Bruyne, i cili me qëllim për të krosuar në zonë, topi përfundoi në rrjetë. E tëra kjo ndodhi në minutën e 64-të.

Në minutën e 71-të, u akordua goditje dënimi në favor të mysafirëve, teksa ekzekutimin e gjuajtës së lirë e mori përsipër Mahrez, i cili arrit të gjente një të çarë në murin e parisienëve, ku përmes saj, arriti ta dërgonte në cakun e kërkuar, të përfundonte topi në rrjetë. Kështu “Qytetarët” që në sfidën e parë kanë krijuar një kapital të rëndësishëm si mysafir, ndërsa pas një jave presin në “Etihad” PSG-në me rezultatin në favor të tyre. /Insajderi.com