Manjati investimeve ngre alarmin për gjendjen e ekonomisë botërore

Manjati investimeve ngre alarmin për gjendjen e ekonomisë botërore

Kreu i një prej fondeve më të mëdha të pasurisë në botë ka deklaruar së fundi se tregjet po bëhen gjithnjë e më të ashpra dhe investitorët po përballen me një të ardhme shumë të pasigurt.

Lim Chow Kiat, kreu ekzekutiv i GIC Pte në Singapor, ngriti përsëri alarmin për gjendjen e ekonomisë botërore, duke theksuar se populizmi, proteksionizmi tregtar dhe rënia e aftësisë së qeverive për të stimuluar ekonomitë dhe tregjet me masat e duhura, po minojnë ofrimin e një prosperiteti ekonomik në bazë të gjerë.

GIC është aktualisht fondi i gjashtë më i madh i pasurisë në botë, me rreth 440 miliardë dollarë pasuri në administrim.

“Në këto kohë të vështira, investitorët e kanë thuajse të pamundur të njohin gjendjen e tyre. Investitorët përballen aktualisht me pasiguri në rritje dhe kthime në rënie. Nga disa tregues rezulton se pasiguria për perspektivat ekonomike ka arritur për momentin nivelin më të lartë. Situata bëhet edhe më negative ku vihet re se krijuesit e politikave monetare kanë mjete të kufizuara për të nxitur rritjen dhe për të nxjerrë ekonominë globale nga errësira”, tha ai të në GIC Insights.

Që në muajin mars, në një dalje të atëhershme Lim ka theksuar se GIC ishte i shqetësuar për pasigurinë e lartë në mjedisin botëror të investimeve. Në të njëjtën linjë u paraqit Fondi edhe në muajin korrik, duke paralajmëruar se kthimet do të ishin më të ulëta në vitet e ardhshme, nëse mosmarrëveshjet tregtare përshkallëzoheshin.

Megjithatë, pavarësisht tensioneve të situatës aktuale, Lim ka deklaruar se përkundër frikës, investitorët kanë lëvizur në asete më të rrezikshme sepse, nëse nuk e bëjnë, me rreth 17 trilionë dollarët bono me norma negative që qarkullojnë në tregjet globale, ka rrezik që ata të humbasin fitimet.

Komentet e Lim vijnë pasi OECD rishikoi në zbritje pothuajse të gjitha parashikimet ekonomike që ishin bërë në fillim të këtij viti, duke thënë se perspektiva botërore “është bërë gjithnjë e më e brishtë dhe e pasigurt” dhe duke shtuar se “tensionet tregtare po shkatërrojnë besimin e konsumatorëve dhe investitorëve”.