Maqedoni e Veriut, edhe pesë ditë afat për marrëveshje për Qeveri të re

Maqedoni e Veriut, edhe pesë ditë afat për marrëveshje për Qeveri të re

Në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë bisedimet mes partive politike për të formuar shumicë të re parlamentare, pa ndonjë konfirmim zyrtar të një marrëveshjeje të mundshme, shkruan Insajderi.

Kjo duhet të bëhet jo më vonë se të premten, kur skadon afati dhjetëditor, pas së cilës presidenti duhet ta ndajë mandatin për të formuar qeveri.

Fundjavën e kaluar, informacioni dhe mesazhet për bisedimet u dërguan kryesisht përmes njoftimeve nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, të dyja palët, që janë në garë për një Kabinet të ri qeveritar.

Organizata e punëdhënësve, ndërkohë, ka bërë thirrje për formimin e menjëhershëm të një qeverie për të marrë masa të reja për të ndihmuar ekonominë. Kryetari i Organizatës së punëdhënësve, Angel Dimitrov, tha se veçmas në goditje është industria e tekstilit.

Biznesi me qepjen e pajisjes mbrojtëse dhe maskave po stagnon, ndërsa punëdhënësit alarmojnë se një numri të madh të konfeksioneve u kanoset mbyllja në tetor për shkak të kërkesës së ulët nga partnerët e tyre tradicional.

Ankohen se tani janë lënë të vetëm të përballen kur një pjesë e madhe e punëtorëve janë në shtëpi. Ose janë pozitiv në Coronavirus ose janë në izolim.

Kushtetuta parasheh presidenti i vendit, në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.

Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE’së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet./Insajderi.com