Libri i gjeografisë i cili ka ofenduar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, do të tërhiqet, njofton Insajderi.

Maqedoni e Veriut: Libri i gjeografisë që ofendon shqiptarët do të tërhiqet

Maqedoni e Veriut: Libri i gjeografisë që ofendon shqiptarët do të tërhiqet

Libri i gjeografisë i cili ka ofenduar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, do të tërhiqet, njofton Insajderi.

Komisioni i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut këto ditë pritet të japë propozimin, ka deklaruar ministrja e këtij dikasteri, Mila Carovska.

Për tekstet shkollore që përmbajnë fyerje, në këtë rast ndaj popullsisë shqiptare, por edhe stereotipa, etiketime… e çdo lloj prezantimi negativ apo diskriminues – do të duhet që ministria në të ardhmen të gjejë mënyrat që të mos mundet të hyjnë në sistemin arsimor.

Libri i gjeografisë për gjimnazin e reformuar, ku prezantimi i popullsisë shqiptare bëhej në formë skandaloze, do të ketë fatin e njëjtë me librin e maqedonishtes që diskriminonte gruan.

Edhe për librin e gjeografisë është formuar një grup pune që këto ditë duhet të japë propozimin edhe kështu ta tërheqim atë libër. Të shohim se çfarë do të sugjerojë Komisioni dhe të krijojmë kushte që në të ardhmen informacione të tilla të tmerrshme të mos kenë mundësi të hyjnë në sistemin arsimor. Sepse është e kotë të thuhet se jemi shtet demokratik, që ratifikojmë konventa, ligje kundër diskriminimit…, gjithçka harmonizohet në drejtim të atyre vlerave, inkluzivitetit, barazisë gjinore, ndërkohë që në shkollë i mësojmë fëmijët me vlera krejtësisht të tjera. Këto dy gjëra nuk shkojnë njëra me tjetrën dhe prandaj duhet t’i ndryshojmë”, ka thënë Carovska, njofton Insajderi.

“Sa i takon mësimit të gjuhës shqipe dhe trajtimit të gjuhëve të nacionaliteteve në konceptin për arsimin fillor, pas debatit të krijuar dhe kategorizimit të shqipes në grupin ‘gjuhë e huaj’, ajo mbetet siç ishte deri tani si lëndë zgjedhore nga klasa e gjashtë, ndërsa konform përdorimit të gjuhëve, sipas gjuhës që flitet në nivel komunal – do të bëhet edhe zgjedhja e tij për tu mësuar”, theksoi ministrja. /Insajderi.com