Maqedoni e Veriut – Quçuk: Vendi i opozitës është në Parlament

Maqedoni e Veriut – Quçuk: Vendi i opozitës është në Parlament

Zgjedhjet e 15 korrikut, megjithëse në një situatë të vështirë apo gjendje të pandemisë ishin të drejta, ndërsa qytetarët e shfrytëzuan të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do ta drejtojë vendin në këtë periudhë të ndërlikuar në Maqedoninë e Veriut, deklaroi në një intervistë për të përditshmen “Koha” raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ilhan Quçuk.

Duke vënë theks të veçantë paralajmërimet e opozitës shqiptare për bojkotimin e institucioneve që pritet të udhëhiqen nga LSDM-BESA-BDI, ai thotë se vendi i opozitës është në Parlament.

“Unë besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut zhvilloi zgjedhje të ndershme dhe të ligjshme në një situatë jashtëzakonisht të vështirë të një pandemie globale. Qytetarët e vendit ushtruan të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do ta drejtonte Maqedoninë e Veriut nëpër fazat thelbësore të negociatave komplekse të pranimit në BE”, thotë Quçuk, ndërsa përmend rolin e opozitës bullgare në kohën kur Sofja zyrtare u bë pjesë e BE- së.

Ai theksoi se nga përvoja personale në Bullgari gjatë këtij procesi opozita mund të luajë një rol shumë konstruktiv dhe pozitiv, por jo duke i bojkotuar institucionet demokratike.

“Është e qartë se qytetarët dëshirojnë të lidhin të ardhmen e vendit me Bashkimin Evropian. Ne e pranojmë këtë fakt dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Parlamentin dhe qeverinë e
sapozgjedhur, përfshirë kontakte të vazhdueshme me opozitën”, tha eurodeputeti Quçuk. /Insajderi.com