Maqedoni e Veriut, regjistrohen 87.905 persona

Maqedoni e Veriut, regjistrohen 87.905 persona

Deri mëngjesin e sotëm ka arritur në 87.905 numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut që janë vetëregjistruar përmes aplikacionin onlajn të Entit Shtetëror për Statistikë të këtij vendi fqinj.

Edhe ky numër flet për një rritje drastike të mërgimtarëve të interesuar për regjistrim. Vetëm në 24 orët e fundit numri është rritur për rreth 5.500 shtetas të regjistruar më shumë në operacionin që filloi nga 1 marsi, ndërsa do të zgjasë deri më 21 prill.

Sipas të dhënave të detajuara të publikuara në faqen e Entit Shtetëror për Statistikë të RVM – së, numri më i madh i mërgimtarëve të vetëregjistruar është nga Zvicra, ndërsa pasojnë ato nga Gjermania, Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera. Në listën e detajuar vihet re se interesimi për vetëregjistrim është shfaqur edhe në shtetet më të largëta të Azizë, Afrikës dhe Amerikës së Jugut, ndërsa dy shtetas janë regjistruar edhe nga Antarktiku.

Më 1 mars, bashkë me diasporën filloi edhe regjistrimi i të punësuarve në ambasada dhe familjarëve të tyre, shtetasit me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë e odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit dhe përfaqësitë ushtarake të Armatës që janë të angazhuar në misione ndërkombëtare dhe kategori të ngjashme.

Brenda territorit të shtetit fqinj në këtë periudhë janë regjistruar edhe të burgosurit dhe personat e pastrehë.

Për të gjitha këto kategori regjistrimi ka përfunduar, ndërsa për diasporës do të zgjasë deri më 21 prill kur do të përmbyllet edhe regjistrimi i popullatës rezidente që do të fillojë më 1 prill. Shtetasit që ndodhen brenda vendit do të regjistrohen nga regjistrues në terren përmes pajisjeve elektronike.

Për realizimin e këtij operacioni, Enti Shtetëror për Statistikë i vendit fqinj ka hapur edhe konkursin e tretë për regjistrues rajonal për komunat në të cilat ende ka vende të lira ndërsa konkursi do të jetë i hapur deri sonte në mesnatë.

Pas regrutimit ata do të trajnohen 1 javë para fillimit të operacionit,njofton Insajderi.Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut po realizohet pas 20 viteve.

Regjistrimi i fundit ishte në vitin 2002, ndërsa në vitin 2012 dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve brenda anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, ndërsa u ndërpre me vendim në Kuvend. /Insajderi.com