Maqedoni e Veriut: Tetë protestues të arrestuar dhe shtatë policë të lënduar

Maqedoni e Veriut: Tetë protestues të arrestuar dhe shtatë policë të lënduar

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut,  Toni Angellovski,  ka bërë të ditur se tetë persona janë ndaluar, ndërsa shtatë policë janë lënduar gjatë protestës së sotme për rastin “Monstra”.

MPB gjithashtu informoi se po punohet për identifikimin edhe për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në incidentin që ndodhi mes policisë dhe protestuesve.

“Nga protesta e sotme kemi 7 policë të lënduar, ndërsa deri janë ndaluar 8 persona, megjithatë ende jemi duke punuar për zbardhjen e këtij rasti”, u shpreh Angellovski.

Pas protestës së sotme reagoi koalicioni opozitar shqiptar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, raporton Insajderi.

“Dhe, përkundër kërkesës së organizatorëve, familjarëve të dënuar në rastin “Mostra”, të cilët e kishin njoftuar qysh më herët Ministrinë e Punëve të Brendshme për organizimin e protestës, policia – me forca të mëdha të autoblindave dhe njësive speciale – nuk e liroi rrugën dhe i pengoi protestuesit që të arrijnë në destinacionin e tyre.

Siç e dimë, kudo në botë janë protestuesit ata që e caktojnë se ku duan të protestojnë dhe në secilin vend demokratik të botës ata, përveçse ta njoftojnë policinë, nuk kanë asnjë detyrim tjetër.Prandaj për koalicionin Aleanca për Shqiptarët & Alternativa skena e sotme e kufizimit të së drejtës për protestë është edhe një dëshmi se pas përfundimit të regjimit Gruevski-Ahmeti, në horizont po duket regjimi i ri Zaev-Ahmeti.

Ashtu si banda e Gruevskit dikur, po ashtu sot policia në vend se të jetë në mbrojtje të qytetarëve, ajo i pengoi qytetarët në shprehjen e mendimit të lirë dhe të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore. Kjo dukuri quhet diktaturë. As më pak e as më shumë. Dhe, këso skena shohim sot vetëm në Bjellorusi, Venezuelë e në Rusi.

Se a flet kjo për aleanca të reja të këtij regjimi apo është thjesht trajnim muskujsh në kurriz të shqiptarëve, këtë duhet ta shpjegojnë ata që e përdorin policinë e popullit kundër popullit”thuhet në reagim,përcjell Insajderi.Më tej nga ky koalicion nënvizojnë se  deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa ishin aty sot për ta mbështetur protestën, pas asnjë pretendim tjetër.

Madje, ashtu siç e pamë të gjithë, ata ndihmuan në qetësimin e gjakrave, duke qenë pranë popullit dhe me të drejtën e popullit. /Insajderi.com