Maqedonia e Veriut në vendin e 92-të për lirinë e mediave

Maqedonia e Veriut në vendin e 92-të për lirinë e mediave

3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Maqedoninë e Veriut e gjen të ranguar në vendin e 92-të, për lirinë e mediave.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në shtetin fqinj, Mlladen Çadikovski thotë se shkak kryesor i kësaj është sepse rastet gjyqësore për sulmet ndaj gazetarëve nuk gjejnë përfundim.

Ndërsa, arsye tjetër sipas tij, është mungesa e pavarësisë së mediave për shkak tregut të vogël, shkruan Insajderi.

“Fillimisht sepse nuk zgjidhen sulmet ndaj gazetarëve, nuk kanë epilog gjyqësor institucional. Vitin e kaluar nga 16 raste vetëm një është zgjidhur, që vërtetë i inkurajon  edhe të gjithë dhunuesit dhe kërcënuesit të vazhdojnë në atë mënyrë, më shpesh përmes rrjeteve sociale, por ndonjëherë sulmojnë gazetarë edhe me kërcënime fizike. Në këtë segment ne vazhdimisht kërkojmë që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtar”, tha Çadikovski.

Ai thekson se ka liri mjaftë të fuqishme të shprehjes dhe liri të mediave nga aspekti i të folurit publik. Mirëpo, problemi siç thotë, qëndron në atë se mediat përgjithësisht nuk janë financiarisht të pavarura.

“Bëhet fjalë për një numër të madh të mediumeve në një treg të vogël e të kufizuar, ashtu që vazhdimisht mbizotëron tendenca e autocenzurës edhe tek pronarët e mediumeve, edhe tek redaktorët kryesor, madje edhe tek gazetarët, kështu që nga ky aspekt nuk jemi të kënaqur nga ajo se sa është e madhe liria e mediave, sepse strukturalisht, praktikisht nuk ka shumë ndryshime në atë që quhet tregu mediatik”, pohon kreu i shoqatës së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Çadikovski  vlerëson se qeverisja e tanishme mund të bënte më shumë në periudhën e kaluar 4 vjeçare në këtë drejtim, dhe disa mediume sipas tij kanë vazhduar në mënyrën e funksionimit si në kohën e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit, vetëm se i kanë ndërruar rolet, mirëpo në një masë ai mendon se ka përparuar beteja për cilësi dhe beteja për të vërtetën./Insajderi.com